Ndërsa Franca ka hyrë në ditën e parë të izolimit kombëtar, ardhja e borës në pjesët qendrore dhe veriore të vendit ishte diçka e pëlqyer për njerëzit në qytetet e pamësuara me një mot të tillë.

Parizienët ndërtuan njerëz prej dëbore dhe u angazhuan në beteja me topa bore para se të mbylleshin në shtëpi nga ora 18.00 deri në 6 të mëngjesit. Të gjitha aktivitetet duhet të ndalen në këtë pjesë kohore dhe ka gjoba për ata që shkelin rregullin.

32 departamente në Francë, përfshirë të gjithë rajonin e Ile de France, kanë sjellë rritje të nivelit të alarmit duke e çuar atë në portokalli.

Në Ille, banorët iu gëzuan borës që mbuloi qytetin duke u argëtuar në borë dhe duke bërë foto në të.

Parisi, nuk ishte kryeqyteti i vetëm që u zbardh nga bora. Brukseli po ashtu u shndërrua në një park argëtimi dimëror me rreth 10 centimetra borë që ranë në të gjithë Belgjikën po ashtu.

Në Gjermaninë jugore, sasia e madhe e borës së rënë e ka vështirësuar punën e skuadrave të angazhuara me pastrimin e rrugëve.

Në Obermaiselstein, në shtetin e Bavarisë, ranë 1.5 metra borë në dy ditët e shkuara, dhe akoma më shumë reshje priten, veçanërisht në pjesën perëndimore të Gjermanisë. Reshje të dendura bore kanë shkaktuar kaos në Gjermaninë jugore ditët e fundit. Policia në Gjermaninë jugperëndimore tha se një 72 vjeçare kishte humbur jetën pasi një pemë e ngarkuar nga bora kishte rënë mbi të ndërsa po shëtiste qentë, afër kufirit me Zvicrën.

Panoramë e ngjashme është edhe në Zvicër, Austri dhe Itali ndërkohë që bora ka mbuluar edhe shumë pjesë të Britanisë së madhe.

 

Top Channel