Inagurimi i Biden/ 50 shtetet amerikane në gadishmëri për dhunë!

17/01/2021 14:05

Të 50 shtetet amerikane dhe distrikti i Kolumbisë, janë në gadishmëri për protesta të mundshme, të dhunshme, këtë fundjavë, para inaugurimit të presidentit të zgjedhur Joe Biden, të mërkurën.

Trupat e rojës kombëtare janë dërguar në masë në Washington DC, në përpjekje për të evituar një përsëritje të mundshme të dhunës vdekjeprurëse të javës së kaluar.

FBI ka paralajmëruar për dhunë të mundshme  nga ana e mbështetësve të Trump në të 50 kryeqytetet e shteteve amerikane. Pjesa më e madhe e Washington DC do të izolohet para inaugurimit të së mërkurës, me trupat e gardës kombëtare që janë dislokuar në numra të mëdhenj.

Shumë rrugë janë bllokuar me barriera betoni dhe rrethime metalike. “The National Mall”, që zakonisht mbushet me njerëz për inaugurimet, është mbyllur me kërkesë të shërbimit sekret.

Ekipi i Biden i ka kërkuar amerikanëve të mos udhëtojnë drejt kryeqytetit të vendit për inaugurimin, për shkak të pandemisë. Zyrtarët lokalë thanë se njerëzit duhet ta ndjekin eventin nga shtëpia.

Ndërkohë, ekipi i Joe Biden, ka hartuar plane për të përmbysur politika kyçe të Donald Trump. Në orët pasi Biden të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, ai do të ndërmarrë një numër veprimesh ekzekutive që kanë si qëllim të sinjalizojnë një ndarje të dukshme me administratën e paraardhësit të tij.

Edhe pse Biden, ashtu si presidenti Trump do të mund të përdorë urdhrat ekzekutive si mjet për të anashkaluar Kongresin në disa tema, plani i tij i stimulimit prej 1.9 trilionë dollarësh, i shpallur më herët këtë javë, do të ketë nevojë të miratohet nga ligjvënësit ashtu si edhe një ligj për reformën e emigracionit.

 

Top Channel