Erdoğan: Në energjinë gjeotermale Turqia renditet e para në Evropë dhe e katërta në botë

17/01/2021 07:07

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se “Në energjinë gjeotermale Turqia renditet e para në Evropë dhe e katërta në botë”.

Nëpërmjet një lidhjeje direkte nga rezidenca Vahdettin në Stamboll, presidenti Erdoğan ka mbajtur një fjalim për ceremoninë e inaugurimeve masive për projektet e burimeve energjetike dhe natyrore Manisa.

Pasi theksoi se kanë nënshkruar një revolucion të heshtur jo vetëm në investime por edhe në diplomaci, demokraci dhe liri, Erdoğan vuri në dukje:

“Nuk kemi rënë kurrë në qetësi gjatë periudhës së pandemisë ku investimet në të gjithë botën arritën në pikën e ndalesës. Kemi përshpejtuar projektet tona në çdo fushë nga shëndetësia e deri tek transporti, bujqësia, industria, energjia dhe mjedisi. Spitalet, digat, komplekset e ujitjes, parqet popullore po ngrihen në mbarë vendin si simbole të reja të politikës tonë në investimet e transportit dhe energjisë si dhe të politikës tonë për vepra dhe shërbim”.

“Ne kemi filluar intensifikimin e investimeve tona në energji pas zbulimit të 405 miliardë metër kub të gazit natyror në Detin e Zi. Me thënien ‘Energji të pavarur, një Turqi e fortë’ synojmë të ndërtojmë një sektor energjetik të bazuar në burimet tona vendase deri sa të jetë e mundur”, tha Erdoğan.

Ai potencoi se ky investim që po inaugurojnë do të sigurojë punësim për gjithsej 1.500 persona dhe ka një kapacitet për të prodhuar më shumë se tre të katërtën e konsumit të energjisë elektrike të qytetit Manisa dhe se ky kompleks që përurohet do të përballojë vlerat e emetimit të karbonit të përcaktuara në Turqi dhe Evropë.

Presidenti Erdoğan tha se fuqia e instaluar e energjisë gjeotermale e cila kur erdhën në detyrë në vitin 2002 ishte vetëm 18 megavat sot ka arritur në 1.613 megavat. “Me këtë shifër në energjinë gjeotermale Turqia renditet e para në Evropë dhe e katërta në botë. Kemi vazhduar investimet tona në energji në vitin 2020 ndërkohë që e gjithë bota luftonte me pandeminë. Vitin e kaluar vendosëm në funksion edhe një fuqi shtesë të ndërtuar prej 4.900 megavat. Kjo fuqi përbëhet pothuajse plotësisht nga burimet e rinovueshme”, tha Erdoğan.

“Synojmë të jemi një vend qendër jo vetëm në prodhim por edhe në teknologjitë e energjisë së rinovueshme. Për të arritur këtë qëllim, ne parashikojmë një të ardhme të bazuar në kërkimin vendas, në zhvillimin, në burimet njerëzore vendase dhe prodhim vendas. Në këtë mënyrë ne hallkë pas hallke po thurim një zinxhir të prodhimit të energjisë që mbart me krenari vulën e mallit turk që nga fillimi e deri në fund”, theksoi ai.

Duke uruar që këto katër komplekse të energjisë me një kosto prej 1.37 miliardë dollarë të jenë të dobishme për Turqinë, Erdoğan shprehu falënderime edhe për sektorin privat i cili punon, tregon përpjekje dhe sakrifica për rritjen, zhvillimin dhe ngritjen e Turqisë./AA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA