Arrestohet pranë Kongresit/ SHBA, kishte akreditim të rremë dhe armatime

17/01/2021 20:44

Policia ka arrestuar një person të armatosur në Uashington, ndërsa tentonte të kalonte një nga postoblloqet e shumta të ngritura në afërsi të ndërtesës së kongresit, ku Joe Biden do të bëjë betimin pas tre ditësh.

Wesley Allen Beeler, me origjinë nga Virginia, kishte me vete një kartë të rreme akreditimi për ceremoninë e inaugurimit. Agjentët i kanë gjetur ndërkohë një armë dhe më shumë se 500 plumba atij. Ai u arrestua më pas për zotërim armësh zjarri të paregjistruara dhe municionesh.

Në prag të besimit të Joe Biden dhe pas sulmit të dhunshëm mbi ndërtesën e kongresit nga ana e mbështetësve të Trump, më 6 janar, Uashingtoni është kthyer në një qytet të blinduar me blloqe çimentoje dhe tela me gjemba.

Pjesëtarë të gardës kombëtare janë mobilizuar në disa shtete dhe disa parlamente lokale, si psh në Kaliforni dhe Minesota.

Top Channel