Në Britaninë e Madhe, dhënia e dozës së dytë të vaksinës po shtyhet me qëllim që të vaksinohen sa më shumë qytetarë.
Edhe vende të tjera, ndër të cilët gjermania, e kanë shqyrtuar këtë mundësi. Ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn, për shkak të dozave të pakta të vaksinës kërkoi nga ekspertët të shqyrtonin mundësinë për vonesën e dozës së dytë. Por, ekspertët, në përfundim u shprehën kundër. “Dhënia e dozës së dytë të vaksinës duhet të pasojë brenda hapësirës kohore të përcaktuar nga studimet e bëra (aktualisht 42 ditë)”, thanë ekspertët pas vlerësimeve të tyre. Ata i shohin të dyja vaksinat e autorizuara të Biontech dhe Modernës, të krahasueshme për sa i takon efikasitetit, sigurisë dhe efekteve anësore, por theksojnë se doza e dytë duhet të pasojë me të njëjtin preparat si doza e parë.
Sipas tyre nuk duhen kombinuar në asnjë mënyrë dy vaksina të ndryshme.
Në Britaninë e Madhe autoritetet e shëndetësisë vendosën për shkak të variantit të ri mjaft infektues të virusit për të vonuar dhënien e dozës së dytë, me qëllim që të marrin sa më shumë njerëz dozën e parë. Autoritetet britanike janë të mendimit, se një dozë e dyte deri në 12 javë me vonesë nuk ndikon në efektshmërinë e vaksinës. Pavarësisht rrugës së përzgjedhur nga britanikët, ajo që është e qartë, është se një dozë e dytë është detyrimisht e nevojshme, sepse ajo e sjell përforcimin e duhur për krijimin e imunitetit të trupit.
Agjencia evropiane e ilaçeve e sheh me skepticizëm qasjen e britanikëve e po ashtu edhe autoriteti amerikan i ilaçeve, FDA. Ndërsa ekspertë të OBSH e kanë quajtur të pranueshme shtyrjen e dozës së dytë të vaksinës së Biontech dhe Pfizer në një afat kohor prej disa javësh. Ekspertët gjermanë, sidoqoftë thonë se vonesa në dhënien e dozës së dytë mund të dobësojë efikasitetin e vaksinës tek më të moshuarit.
Top Channel