Lazio i jep leksion futbolli Romës në derbin e kryeqytetit italian, që ngriti siparin e javës së 18-të të Serisë A. Në një “Olimpico” me atmosferë të ftohtë për shkak të mungesës së tifozëve, sfida u ndez që në minutën e 14-të, kur Ciro Immobile përfitoi nga humbja e topit nga Ibanez, duke mposhtur portierin Lopez.

Goditjen e dytë verdhekuqtë e morën në minutën e 23-të, kur një vertikalizim i Milinkovic-Savic gjeti në zonë Lazzarin, i cili arriti të shërbente për Luis Alberton, me spanjollin që nuk fali për 2-0.

Roma ishte krejtësisht e pafuqishme për të reaguar, madje skuadra e Simone Inzaghit dominoi në çdo aspekt, derisa shënoi edhe golin e tretë po me Luis Alberton, në minutën e 67-të.

I vetmi rast në fundit e takimit, ku Roma iu afrua golit ishte ai i minutës së 86-të, kur Pepe Reina i mohoi golin Edin Dzekos.

U mbyll me fitoren e thellë Lazio ky derbi, ku Roma u shfaq në versionin e saj më të keq, duke mos dhënë asgjë në fushë për të mos e merituar këtë disfatë të rëndë.

Mund të kishte qenë një derbi shqiptarësh në fushën e blertë, por nuk ndodhi kështu. Strakosha nuk ishte grumbulluar për arsye dëmtimi nga Inzaghi, ndërsa Alia (portier) në radhët e bardhekaltërve dhe Kumbulla te verdhekuqtë qëndruan në stolin e rezervave.

Top Channel