Osmani dhe Kurti bëjnë homazhe në Reçak: Serbia kishte në projekt shfarosjen e shqiptarëve

15/01/2021 10:53

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kanë bërë homazhe për 22-vjetorin e masakrës në Reçak.

Osmani ka thënë se masakra e Reçakut është ndër masakrat më të tmerrshme, jo vetëm në historinë e Kosovës, por të gjithë njerëzimit.

“Masakra e Reçakut është ndër dëshmitë më autentike të gjenocidit serb në Kosovë. Është vendi ku përfundimisht u dëshmua qëllimi i Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve”, ka thënë ajo.

Më tej, para mediave Osmani tha se për krimet e Serbisë duhet folur në çdo vend të botës.

“Nga këtu, duhet me zë të lartë ta themi të vërtetën duke kërkuar drejtësi për të gjithë ata që ranë që ne ta gëzojmë lirinë. Kurrë nuk është vonë që për krimet e Serbisë të flasim çdo kund në botë. Shqiptarët luftuan për ta mbrojtur pragun e shtëpisë, dhe Serbia udhëhoqi luftën dhe bëri gjenocid. Përkujtim i përjetshëm për të gjithë të rënët në Reçak dhe të gjithë të rënët në Kosovë”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, kreu i LVV-së, Albin Kurti theksoi se Serbia kishte në projekt shfarosjen e shqiptarëve.

“E mbaj mend që dimri i janarit i 1999 ishte shumë më i ftoftë se sa ky sivjet, kjo ngjarje e trishtueshme e kishte tmerruar gjithë kombin shqiptar. Pas aktit gjenocidal në Reçak, avionët e NATO-s bombarduan Jugosllavinë e Millosheviqit. Serbia kishte ne projekt shfarosjen e shqiptarëve. Me pikëllime erdhëm të takojmë familjarët e viktimave në Reçak”, potencoi ai.

Kurti theksoi se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme përderisa nuk ka drejtësi që sjell dënim për kriminelët.

Top Channel