“Salillarit” i shkatërrohet një tjetër rrugë, dy vjet pas ndërtimit! Aksi Skrapar-Përmet rrezik për jetën e udhëtarëve

14/01/2021 16:53

Aksi rrugor që lidh Çorovodën me Përmetin e ndërtuar dy vjet më parë nga kompania “Salillari” është shkatërruar në një pjesë të konsiderueshme të saj.

Pas shirave ka dalë në pah cilësia tepër e dobët e punimeve që kryen kompania “Salillari”, ku në aksin e parë të kësaj rrugë 5 km të gjatë, është krijuar një e çarë e madhe duke rrezikuar përditë jetën e kalimtarëve.

Duket se punimet pa standarde kane bërë që ajo të pësojë rrëshqitje të mëdha dhe të ketë dëmtime të bazamentit. Dhe për këtë kompania ‘Salillari’ nuk ka marrë asnjë përgjegjësi.

Në pamje duket se kësaj të çare të madhe në mes të rrugës i është hedhur beton për ta mbuluar dhe pa ndërhyrë në të për ta riparuar, duke e lënë rrugën në mëshirë të fatit.

Lidhur me këtë skandal ka reaguar edhe drejtuesi politik i LSI-së në qarkun e Beratit Ardit Çela, i cili nëpërmjet një video në rrjetin e tij social dokumenton dëmtimin e rëndë që kjo rrugë ka pësuar.

“Për Rilindjen nuk është prioritet lidhja e Skraparit me Përmetin, përkundrazi kanë mbi 3 vjet që e kanë bllokuar vazhdimin e rrugës kur kanë ngelur vetëm pak kilometra. Për Rilindjen nuk është prioritet as lidhja e Skraparit me Korçën, përndryshe asfaltimi i rrugës deri në Panarit do kishte mbaruar me kohë! Qytetarët e dinë shumë mirë të vërtetën. Për Rilindjen nuk ka prioritet tjetër, vetëm vjedhja e fondeve”-shkruan Çela.

Kujtojmë se rruga në fjalë nuk është e vetmja e ndërtuar nga kompania ‘Salillari’, që është shkatërruar. Pak ditë më parë rruga në afërsi të Borshit u fundos duke u bërë e pakalueshme dhe e rrezikshme. Gjendja e saj ka bllokuar qarkullimin normal në aksin e rëndësishëm Himarë- Sarandë.

FOTO GALERI
2/20

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA