Shpërbërja e mafias…/ Kalabri, duke shpëtuar një fëmijë pas tjetrit

14/01/2021 11:47

Dhjetëra ndërhyrje që nga viti 2012 kanë ndihmuar në largimin e fëmijëve nga duart e mafies në Kalabri, rajonin jugor të Italisë, dhe disa herë, ata janë distancuar nga familjet që i përkisnin Ndranghetës, një prej mafieve më të fuqishme në botë.

Skema, siç thotë themeluesi i saj, gjykatësi i minorenëve, Roberto di Bella besohet se është një nga të parat e këtij lloji dhe ka si qëllim të pengojë fëmijët e rrezikuar, të ndjekin prindërit e tyre në jetën e krimit të organizuar.

“Kur unë nisa punën në vitin 1993, nuk e kisha idenë se si ishte Kalabria. Minutën në të cilën mbërrita këtu, u përballa me situata të pabesueshme, ku minorenët përfshiheshin në krimet e rënda si vrasje, trafik droge, lidhje me mafian…një skenar i tmerrshëm”, shprehet Roberto di Bella.

Fëmijët e këtyre familjeve, sipas gjykatësit Di Bella, janë shpesh të dënuar me një fat nga i cili nuk mund të shpëtojnë, vdekje ose burgim. Ndaj, thotë ai, ne arritëm në një pikë ku nuk mund të rrinim duarlidhur dhe të shihnim shkatërrimin që vetë familjet u sillnin fëmijëve të tyre.

Në fshatin Cinquefrondi, në 1998, pati një rast tronditës. Saverio Ieraci 13 vjeç dhe Davide Ladini, 17 vjeç u vranë nga një shok i tyre. Dhe kjo ngjarje përndoqi banorët për shumë kohë. Por tani, shumë të rinj kanë gjetur kurajon të largohen nga rrugët dhe pak nga pak po ngrihen mbi mafien, po fitojnë.

“Shumë gra, pikërisht në këtë dhomë, kanë nisur bashkëpunimin me drejtësinë me qëllim që të shpëtojnë fëmijët e tyre. Ato na kanë kërkuar t’i ndihmojmë të largohen nga Kalabria dhe t’i largojnë fëmijët nga kthetrat e mafies”.

Në rajon vepron fuqishëm Ndrangheta. Ashtu siç tregon edhe vetë gjykatësi Di Bella, ajo i indoktrinon njerëzit dhe i detyron të sakrifikojnë gjithçka për ligjet e familjes. Për familjen duhet sakrifikuar gjithçka ndaj edhe beteja e drejtësisë është mbi të gjitha kulturore dhe psikologjike.

Top Channel