Hakeri nga Kosova/ Bitcoin, pornografi e terrorizëm edhe nga burgu

14/01/2021 11:38

Ardit Ferizi nga Gjakova, që tashmë është dënuar me 20 vjet burgim në Shtetet e Bashkuara për vepra terroriste, përballet me akuza të reja për mashtrim dhe vjedhje të identitetit edhe gjatë kohës që ka qenë në burg.

Ferizi, 25 vjeç është një shtetas i Kosovës, i cili u deportua nga Malajzia në SHBA në 2016 për t’u përballur me akuza për terrorizëm. Ai u deklarua fajtor për hyrje të paautorizuar në informacionet kompjuterike, të dhëna që ua kishte dërguar një grupi terrorist. Këto të dhëna, kryesisht të ushtarëve dhe punonjëseve qeveritarë amerikanë, ua ka kaluar pjesëtarëve të të ashtuquajturit, Shteti Islamik. Dënimi i tij u reduktua në dhjetor 2020, por ndërsa gjakovari priste deportimin në Kosovë, FBI tha se ai kishte kryer edhe krime të tjera gjatë kohës kur ishte në burg.

Siç shkruan Evropa e Lirë, më 6 janar të këtij viti, Ferizi u dërgua në një qendër paraburgimi në Pensilvani duke pritur të kthehej Kosovë. Por, prokurorët thanë se ai kishte hyrë në informacione personale të qytetarëve amerikanë, kur ishte ende në burg, ashtu siç kishte bërë kur i kishte kaluar të dhëna shtetit islamik. Nga 2 prilli, 2017 deri më 25 shtator, 2019, Ferizi edhe pse ishte në burg ka mundur të marrë dhe dërgojë e-maile. Prokuroria beson se vjedhja e të dhënave nga Ferizi u bë gjatë kësaj periudhe. Gjatë kësaj periudhe, ai është përfshirë në skema të shumta mashtruese, duke u koordinuar me një pjesëtar të familjes së tij që menaxhonte llogaritë e postës elektronike të Ferizit.

Ky i fundit madje, nga burgu i ka hyrë biznesit me monedhat digjitale, si Bitcoin. Madje ai ka patur edhe një faqe interneti me përmbajtje pornografike, që kishte për qëllim vjedhjen e të dhënave të atyre që shihnin përmbajtjen e saj. Këto akuza të reja, nëse vërtetohen, do t’i sjellin atij një dënim prej 22 vitesh burg dhe gjobë 250 mijë dollarë.

 

Top Channel