Rindërtimi/ Rama inspekton dy shkollat në Tiranë: Njësoj si në vendet më të mira të BE-së

13/01/2021 18:17

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet e shkollave  “Hasan Vogli” dhe “Qazim Turdiu” në Tiranë bashkë me ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe kreun e bashkisë së Tiranës Erion Veliajpasditen e sotme.

Rama tha se bankat e shkollës që po rindërtohen janë njësoj si në shkollat më të mira të vendeve të BE-së.

“Në kantieret e shkollave “Hasan Vogli” dhe “Qazim Turdiu” që po rilindin shumë më të bukura, më të forta e më të mëdha, pas rrënimit nga tërmeti. Fëmijët e mësuesit e prekur nga 26 nëntori i shkuar, po kthehen e do vazhdojnë të kthehen në hapësira fantastike mësimore, njësoj si shkollat më të mira të Bashkimit Europian”, tha Rama.

Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj deklaroi gjatë inspektimit se në gjatë fushatës së rindërtimit janë ndërtuar më shumë shkolla se për 30 vite në Shqipëri.

“Bashkisë së Tiranës i kalon një fond prej 1.6 mld lekë për një numër të ri shkollash. Në këto muaj kemi ndërtuar më shumë shkolla se sa janë ndërtuar në 30 vite”, tha ministri.

Top Channel