Republikanët “braktisin” Trump, do të votojnë pro vënies së dytë nën “impeachment”

13/01/2021 11:57

Dhoma e përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara ka miratuar rezolutën që i kërkon zëvendëspresidentit Mike Pence të evokojë amendamentin e 25 të kushtetutës dhe të shkarkojë Donald Trump.

Por, ndërsa debati vazhdonte në sallë, Pence i ka dërguar një letër kryetares së dhomës, Nancy Pelosi, në të cilën shpjegonte se evokimi i amendamentit 25 nuk ishte në interesin e vendit. “Jo”-ja zyrtare e Pence duket kështu se i hap rrugën impeachmentit. Bëhet fjalë sidoqoftë për një veprim simbolik pasi Pence kishte deklaruar se nuk do ta bënte. Nisma e demokratëve për të shkarkuar presidentin Donald Trump nga posti duket ndërkohë se po fiton terren pasi edhe disa republikanë kanë nisur të prishin radhët.

Liz Cheney, vajza e ish zv presidentit Dik Cheney, e treta në hierarkinë e republikanëve në dhomën e përfaqësuesve, tha se ajo do të votonte pro vënies së Trump nën hetim për sulmin e javës së kaluar mbi kongres. Dy republikanë të tjerë të dhomës së përfaqësuesve, John Katko dhe Adam Kinzinger, kanë thënë më herët se edhe ata do të votonin për Impeachmentin. Sipas Nju Jork Times, lideri republikan i senatit, Mitch McConnell, i ka thënë personave të besuar të tij se ishte i kënaqur që demokratët donin të vinin nën hetim presidentin sepse ai besonte se kjo do të ndihmonte në largimin e tij nga partia republikane.

Dhoma duhet të votojë tani për të vënë nën impeachment për të dytën herë presidentin Trump, gjatë ditës. E ndërkohë, Donald Trump po diskuton me urgjencë mundësinë e dhënies së një faljeje për fëmijët e tij dhe veten. Sipas CNN, që citon burime nga shtëpia e bardhë, presidenti po vazhdon të vlerësojë hipotezën edhe pas dhunës në kongres. Ideja e faljes, thonë burimet për CNN, e tërheq Trump që nga koha kur ka marrë detyrën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA