Meta rrëzon ligjin për taksat e kromit/ Presidenti: Situatë ekstreme e trajtimit preferencial

13/01/2021 15:13
Presidenti Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta nuk dekretoi ndryshimet ligjore propozuar nga dy deputetë socialist për përjashtimin nga taksa e rentës minerare për mineralet metalore që përpunohen në vend dhe eksportohen në formën e nënprodukteve minerare.

Kreu i shtetit thotë se përjashtimi nga kjo taksë deri në vitin 2023 dhe në masën 1/3, për vitin 2024 e në vijim, i sjell buxhetit të shtetit një dëm  prej afërsisht 500 milion lekësh ose 5 milionë dollarë. Ligji i miratuar thekson presidenti, bën një trajtim të favorizuar fiskal të një dege të industrisë në raport me degët e tjera.

Është detyrë e pushtetit qendror që të thellohet në shqyrtimin e parametrave fiskalë dhe të mos krijojë një situatë ekstreme të trajtimit preferencial, duke favorizuar degë të veçanta të industrive, të cilat i nënshtrohen regjimeve të natyrave të njëjta. Kësaj nisme i mungon transparenca që nga momenti që është propozuar”.

Ligjin e miratuar presidenti Ilir Meta e cilëson si situatë aspak e sinqertë të mirë-administrimit të  pasurisë publike.

“Përveç humbjeve të të ardhurave në buxhet, dhe diferencimit fiskal mbi baza klienteliste, ndryshimi i propozuar cenon shfrytëzimin me objektivitet të pasurisë kombëtare e cila nëse konsumohet në këtë mënyrë, pa vjelë ato të mira që i takojnë gjithë shoqërisë, konsiderohet shpërdorim flagrant i saj. Shteti përmes këtij ligji, me dashje, heq dorë nga e drejta e tij për të vjelë të ardhurat që i takojnë nga një pasuri që i takon të gjithëve, me qëllimin e vetëm që të favorizojë biznese të caktuar, që aktualisht kanë, apo mund të pajisen me autorizimet/lejet për ta shfrytëzuar atë”.

 

Dy propozuesit e projektligjit të miratuar në ligj, ishin deputetët Taulant Balla dhe Vullnet Sinaj.

Top Channel