Banda e shqiptarëve vret konkurrentin ‘fermer kanabisi’ me plumb në kokë, pas kurthit në Britani (Fotot)

13/01/2021 20:27

Sot u hap në Britani gjyqi i katër shqiptarëve trafikantë që thirrën në kurth dhe vranë nga afër me plumb në kokë një 30 vjeçar britanik, me origjinë nga Kurdistani.

Hamawand Ali Hussain, vdiq në vend pas goditjes së planifikuar mirë me pushkë me tytë të prerë, në një shtëpi në Hartlepool, në veri të Britanisë.

Të akuzuarit 24 vjeçari Anxhelo Xhaferi rezident në Middlesbrough, Dorian Pirija 33 vjeç nga Bolton, Qazim Marku 24 vjeç nga West Drayton, dhe 39 vjeçari Noza Safari, refuzuan në gjykatën e Middlesbrough akuzën e vrasjes së Hussain.

Prokurorët thanë se katër burrat kishin organizuar dhe ekzekutuar vrasjen e viktimës por i kishin shpëtuar arrestit prej gati një vit e gjysmë.

Prokurori Francis FitzGibbon tha se vrasësit ishin një grup trafikantësh shqiptarë drogash me të cilët zoti Hussain erdhi të takohej, me 1,000 paundë para të thata në xhep.

Akuza thotë se ata më 14 shtator 2019 ngritën kurthin për Hussain, i cili ishte qytetar britanik i lindur në Kurdistan.

Nëntë ditë më herët më 5 shtator, të akuzuarit ishin mbledhur bashkë në Bolton, për të diskutuar planin për vrasjen e Hussain.

FitzGibbon i tha jurisë: “Në dhomën e hyrjes së një shtëpie të zbrazët në Hartlepool një burrë i quajtur Hemawand Hussain u qëllua në kokë nga distancë e afërt. Hussain ishte trafikant drogash që kishte shkuar në adresën Charterhouse Street në Hartlepool por t’u takuar me trafikantë të tjerë drogash, ose të paktën kështu i ishte njoftuar.”

“Por në fakt ata e joshën aty për ta vrarë. Ne besojmë se ata kishin përgatitur planin për të vrarë zotin Hussain.

Në gjyq u tha se në ditën e takimit në Bolton, Xhaferi dhe një shoqërues i tij kishin blerë në një dyqan veglash një sëpatë, litar, doreza dhe kabllo lidhëse.

Më pas të akuzuarit kishin siguruar çelësat e shtëpisë së zbrazur në Charterhouse Street, duke ia marrë të zotit.

Prokurori tha se Hussain ishte thirrur aty për të inspektuar një vend të mundshëm për të krijuar një ‘fermë’ ilegale kanabisi.

Por kur ai erdhi, vrasësit po e prisnin dhe e qëlluan thuajse sapo hyri brenda.

Në kamerat e sigurisë një nga të akuzuarit largohej me një qese ku shihej një pushkë ‘shotgun’ me grykë të prerë.

Një burrë që jetonte pranë skenës së vrasjes, i cili nuk dëgjon mirë, kujton se papagalli i tij u tremb nga krisma.

Prokurorët thanë se nuk kanë një motiv të qartë për vrasjen, por besojnë se Hussain i kishte bërë armiq grupin e shqiptarëve, të cilët kishin vendosur ta eliminonin.

Fitzgibbon tha: “Megjithse nuk e dimë se cili prej tyre tërhoqi këmbëzën në rrugën Charterhouse Street për të vrarë Hussain, të gjithë ata kanë marrë pejsë aktive në akt”.

Gjyqi vazhdon. /DailyMail/

FOTO GALERI
1/4
Sot u hap në Britani gjyqi i katër shqiptarëve trafikantë që thirrën në kurth dhe vranë nga afër me plumb në kokë një 30 vjeçar

Top Channel