Konferenca e Kryetarëve ka miratuar programin e punës/ Komisionet parlamentare vazhdojnë mbledhjet online

13/01/2021 13:03

Konferenca e Kryetarëve ka miratuar programin e punës së Kuvendit për periudhën 18 janar – 26 shkurt dhe kalendarin tre javor të punimeve për periudhën 18 janar – 5 shkurt 2021.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, zhvilloi sot mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Në fillim të mbledhjes, kryetari i Kuvendit, pasi uroi për një sesion parlamentar të suksesshëm, njoftoi se hapja e sesionit të VIII të legjislaturës së IX, do të bëhet ditën e hënë, datë 18 shtator 2021, në orën 17:00.

Konferenca miratoi programin e punës së Kuvendit për periudhën 18 janar – 26 shkurt 2021, kalendarin trejavor të punimeve për periudhën 18 janar – 5 shkurt 2021, si dhe kalendarin e paraqitjes në Kuvend të raporteve të organeve kushtetuese dhe atyre të ngritura me ligj për veprimtarinë e tyre për vitin 2020. Në mbledhje u vendos zhvillimi i seancave plenare në datat 28 shtator dhe 4 shkurt 2021.

Në mbledhje u diskutua edhe për ndalesat në Kodin Zgjedhor dhe vendosi që të zbatohet legjislacioni përkatës.

Gjatë këtij sesioni mbledhjet e komisioneve do të vazhdojnë të zhvillohen online dhe seancat plenare do të zhvillohen me praninë fizike të deputetëve, duke respektuar protokollet e sigurisë për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve u zhvillua me anë të platformës së komunikimit elektronik “Cisco Webex”.

Top Channel