Ruçi pret ambasadorin e Japonisë Takada: Partner e donator i rëndësishëm për Shqipërinë

12/01/2021 11:37

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi ka pritur Ambasadorin e Japonisë, z. Mitsuyuki Takada, me rastin e fillimit të mandatit të tij në Shqipëri duke i shprehur urimet për detyrën e re.

Kryetari Ruçi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë dhe shprehu vullnetin për forcimin e tyre në të ardhmen.Vitin që vjen marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Japonisë mbushin një shekull.

Ndër të tjera, Kryetari Ruçi shprehu mirënjohjen për ndihmën e dhënë gjatë këtyre viteve nga Japonia, e cila është një nga vendet donatore më të rëndësishëm për Shqipërinë, duke dhënë rreth 400 milion USD mbështetje financiare në formë grantesh, asistencë për bashkëpunim ekonomik, kredi të buta në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, mjedis, energjetikë etj.

15 marrëveshje janë nënshkruar mes dy vendeve, ndërsa janë në proces disa të tjera.

“Marrëdhëniet shqiptaro-japoneze janë një rast tipik kur distanca fizike sfidohet nga ndjenjat e ngrohta të miqësisë dhe bashkëpunimit. Rritja e interesit gjeopolitik të Japonisë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, me Iniciativen e Bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor krijon mundësi të reja bashkëpunimi konkret me Japoninë. Gjithashtu, ajo vlerësohet maksimalisht dhe konsiderohet si një nismë shumë e rëndësishme për zhvillim e mbështetje për integrimin e vendeve te rajonit”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Gjithashtu ambasadori Takada vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë dypalësh dhe vuri në dukje se vizita e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë në Tokio në nëntor të vitit 2019 i dha një shtysë te re këtyre marrëdhënieve.

Kryetari Ruçi dhe Ambasadori Takada biseduan edhe mbi aspektet e bashkëpunimit midis parlamenteve të të dy vendeve dhe fuqizimit të diplomacisë parlamentare si një instrument i rëndësishëm i bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh.

Top Channel