Republikanët përballen me pasojat e mbështetjes së pretendimeve të Presidentit Trump

12/01/2021 04:39
Donald Trump

Në qendër të protestave të dhunshme në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara, ishte një gënjeshtër që u lejua të zinte rrënjë dhe të përhapej nga shumë prej republikanëve që tani po e dënojnë Presidentin Donald Trump se ndezi gjakrat e mbështetësve të tij me sulmet e rreme ndaj integritetit të zgjedhjeve të vitit 2020.

Dhe si po përgjgjen tani disa prej atyre zyrtarëve republikanë? Nuk e dinim që do të arrinte deri në këtë pikë. “Njerëzit i morën ato që ai tha fjalë për fjalë. Nuk kisha menduar kurrë që do të ndodhte kjo”, tha Mick Mulvaney, ish-shefi i personelit të Presidentit Trump. Zoti Mulvaney dha dorëheqjen nga posti i tij si i dërguar i posaçëm për Irlandën e Veriut javën e kaluar pas trazirave.

Ky argument tregon se deri në çfarë pike shumë republikanë kanë bërë me dëshirë një sy qorr gjatë gjithë mandatit të Presidentit Trump ndaj disa prej forcave që janë zhvilluar në Amerikë. Sa herë që zoti Trump mbështeste një teori konspirative, apo flirtonte hapur me grupet esktremiste, republikanët gjithmonë mendonin se kishte disa kufij që ai dhe përkrahësit e tij më besnikë, nuk do t’i kapërcenin.

Të paktë ishin ata që shfaqën shqetësim për skenarin më të keq, duke hedhur poshtë frikën për dhunë ose autoritarizëm, duke i quajtur ëndrra të ethshme liberale. Senatori i Pensilvanisë, Pat Toomey, i cili mbështeti zotin Trump në zgjedhjet e vitit 2020, por tani po bën thirrje që ai të japë dorëheqjen, i paraqiti veprimet e Trump pas humbjes si një kthesë të errët, pavarësisht nga fakti se presidenti e përgatiti terrenin për të sfiduar zgjedhjet para se të hidheshin votat e para.

“Ai arriti në një nivel çmendurie dhe u përfshi në veprime absolutisht të paimagjinueshme dhe të pafalshme”, tha ai të dielën. Edhe nëse disa republikanë kishin rezerva në lidhje me zotin Trump para zgjedhjeve, ato shpesh dukej se mbeteshin në hije nga bindja e tyre se do të paguanin çmim politik nëse do të sfidonin hapur presidentin.

Edhe pas humbjes së zotit Trump ndaj Presidentit të zgjedhur Joe Biden, ligjvënësit repuhlikanë, ishin të shqetësuar për ndikimin e tij në partinë e tyre në vitet e ardhshme dhe për mundësinë e sfidave nga kandidatë të tjerë republikanë në zgjedhjet brenda partisë, nëse e kundërshtonin atë. I vetëdijshëm ndaj këtij realiteti, zoti Trump u përpoq t’i paralizonte edhe më tej, kur u zotua të kandidojë përsëri në 2024, ende pa pranuar humbjen në zgjedhjet e vitit 2020.

Kështu shumica e zyrtarëve të Partisë Republikane i dha presidentit kohë dhe hapësirë të sulmonte në mënyrë të rreme integritetin e zgjedhjeve të nëntorit, të përhapte një numër të madh keqinformatash dhe të delegjitimonte fitoren e zotit Biden në sytë e miliona amerikanëve. Shumica e tyre, e pranoi privatisht fitoren e zotit Biden, por racionalizoi se mënyra më e mirë për të ndihmuar në largimin e Trump nga detyra ishte t’i jepej hapësirë për të pranuar humbjen e tij.

Por kjo nuk ndodhi kurrë. Megjithëse gjykatësit në të gjithë vendin, përfshirë disa të emëruar nga zoti Trump, hodhën poshtë një nga një sfidat ligjore dhe Prokurori i Përgjithshëm William Barr, një besnik i palëkundur ndaj zotit Trump, tha se nuk kishte asnjë shenjë të ndonjë manipulimi të gjerë të zgjedhjeve, presidenti vazhdoi sulmet e tij të pabazuara.

Disa republikanë ishin bashkëfajtorë në gënjeshtër me heshtjen e tyre, ndërsa të tjerët ishin pjesëmarrës aktivë. Më shumë se 120 ligjvënës republikanë kërkuan nga Gjykata e Lartë të rrëzojë vullnetin e votuesve në shtetet kryesore vendimtare, një hap i papshembullt që gjykata e lartë refuzoi ta merrte parasysh. Deri të mërkurën në mëngjes, 150 ligjvënës të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit premtuan se do të kundërshtonin rezultatet e zgjedhjeve në Kongres, duke kontribuar në bindjen e disa mbështetësve të zotit Trump se ekzistonte ende një mënyrë për të përmbysur fitoren e zotit Biden.

Senatori i Misurit, Josh Hawley, i cili do që të sigurojë mbështetjen e përkrahësve të zotit Trump në vitet e ardhshme, përshëndeti përkrahësit rrugës për në Kapitol atë mëngjes, ku do të kundërshtonte rezultatet e një zgjedhjeje të lirë dhe të ndershme. Pati edhe përjashtime. Senatori nga Utah, Mitt Romney, një kritik i kahershëm i presidentit dhe senatori i vetëm republikan që votoi për të dënuar Trump gjatë procesit për shkarkimin e tij në fillim të vitit të kaluar, paralajmëroi për pasojat e rrezikshme nëse lejoheshin konspiracionet e zotit Trump për zgjedhjet, të lulëzonin.

Të njëjtën gjë bënë zyrtarët republikanë në Xhorxhia, të cilët i rezistuan presionit të drejtpërdrejtë nga presidenti për t’i “gjetur” atij më shumë vota dhe për të përmbysur fitoren e zotit Biden në atë shtet. Udhëheqësi i shumicës së senatit Mitch McConnell priti deri në mes të dhjetorit për të njohur fitoren e zotit Biden, pastaj paralajmëroi në mënyrë agresive anëtarët republikanë të Senatit të mos kundërshtonin rezultatet e zgjedhjeve në Kongres.

Por për shumë republikanë, vetëm të mërkurën, kur vetë jeta e tyre u rrezikua nga një turmë e dhunshme që sulmoi Kapitolin, u bënë të qarta pasojat e fushatës së rrezikshme të dizinformimit të presidentit. “Mjaft më,” tha senatori i Karolinës së Jugut Lindsey Graham, një nga mbështetësit më të zjarrtë të Trump gjatë katër viteve të fundit. Senatori Graham më pas u rrethua nga mbështetës të zemëruar të Trump në një aeroport në zonën e Uashingtonit, të cilët e akuzuan atë si tradhtar i kauzës së përmbysjes së zgjedhjeve.

Disa senatorë që synonin të kundërshtonin rezultatet e zgjedhjeve, po ashtu ndryshuan mendje në orët pas akteve të dhunshme, duke lënë të kuptohej se ata kurrë nuk kishin besuar me të vërtetë në pretendimet e mashtrimit. Mes tyre: Senatorja Kelly Loeffler nga Xhorxhia, e cila humbi një balotazh të Senatit një ditë para trazirave. Loeffler kishte mbështetur kundërshtimet ndaj zgjedhjeve në një përpjekje të minutës së fundit për t’i mobilizuar mbështetësit e zotit Trump në shtetin e saj.

Nuk ishte e vështirë të kuptoje pse ajo mendoi se mund të ishte një strategji fituese. Një sondazh i AP VoteCast mes elektoratit në Xhorxhia tregoi se rreth tre të katërtat e votuesve që mbështetën kandidatët republikanë në balotazhe thanë se zoti Biden nuk ishte zgjedhur ligjërisht, pavarësisht se nuk kishte asnjë provë të besueshme për të mbështetur atë pohim. Republikanët tani duhet të përballen me realitetin që miliona mbështetës të partisë së tyre besojnë se gënjeshtra ishte aq e fuqishme sa që shkaktoi një mësymje undër Kongresit. Dhe brenda radhëve të tyre, gati 150 ligjvënës ende mbështesnin sfidat ndaj zgjedhjeve pasi Kongresi u mblodh përsëri pas sulmit në Kapitol.

Përveç kësaj megjithëse një shumicë dërrmuese – 88% – e amerikanëve kundërshtojnë veprimet e protestuesve të dhunshëm, gati një e pesta e republikanëve – 18% – thanë se i mbështesin ato, sipas një sondazhi të ri të PBS Newshour./VOA

Top Channel