FBI: Plane për protesta të dhunshme në të 50 shtetet

12/01/2021 05:32

FBI-ja paralajmëron se ekzistojnë plane për protesta të armatosura në kryeqytetet e të 50 shteteve amerikane si dhe në Uashington, ndërkohë që afron dita e inaugurimit të presidentit të ri. Këto plane kanë rritur shqetësimin për gjakderdhje pas protestave të dhunshme të javës së kaluar në Uashington.

Një qarkore e brendshme e FBI-së paralajmëron se, sipas analizave të bëra deri të dielën, protestat mund të fillojnë këtë javë dhe të vazhdojnë deri në ditën e inaugurimit të Presidentit të Zgjedhur Joe Biden, sipas zyrtarëve federalë që kishin lexuar hollësitë e njoftimit dhe folën me agjencinë e lajmeve Associated Press. Hetuesit besojnë se disa prej pjesëmarrësve bëjnë pjesë në grupe ekstremiste, thanë zyrtarët.

“Protesta të armatosura po planifikohen në kryeqytetet e 50 shteteve nga data 16 deri të paktën më 20 janar,” thoshte njoftimi i brendshëm sipas një zyrtari. Zyrtarët nuk kishin autorizim të flisnin publikisht, prandaj diskutuan me Associated Press me kusht anonimiteti. FBI-ja kishte nxjerrë të paktën një paralajmërim tjetër të brendshëm para protestave të dhunshme të javës së kaluar. Më 29 dhjetor, FBI-ja paralajmëroi për mundësinë e demonstratave të armatosura që kishin në shenjestër selitë e legjislaturave, tha zyrtari i dytë.

Gjenerali Daniel Hokanson, kreu i Gardës Kombëtare tha të hënën në komentet për shtyp se Garda po analizon të gjitha shqetësimet në mbarë vendin: “Po ndjekim zhvillimet në mbarë vendin, në bashkërendim të ngushtë me agjencitë lokale të rendit, në mënyrë që të ofrojmë mbështetjen që na kërkohet”. Protestat e dhunshme pasuan thirrje prej disa javësh për dhunë në Uashington përmes postimeve në internet, ndërsa afron fundi i mandatit të Presidentit Trump.

Një postim në Twitter ku Presidenti Trump premtonte se protestat e së mërkurës do të ishin jashtë kontrollit, ushqeu “një muaj nxitjesh, strategjish dhe përqafimi të dhunës kundër ligjvënësve,” arrin në përfundimin një grup kërkimor që analizon aktivitetin ekstremist në internet. Në një raport të bërë publik të shtunën, SITE Intelligence Group paralajmëron se sulmi ndaj Kapitolit u ka dhënë zemër ekstremistëve që mbështesin zotin Trump.

“Pavarësisht se si evolon e gjithë kjo, ky është vetëm fillimi,” shkruante një përdorues i platformës dixhitale TheDonald, sipas raportit.

Top Channel