FBI: Do t’ju trokasim në derë!/ Qindra aktakuza për dhunën në Capitol

12/01/2021 22:52

Byroja Federale e Hetimit në Shtetet e Bashkuara tha se ka marrë rreth 100.000 mijë prova digjitale nga protestat e dhunshme të 6 janarit në Uashington dhe se kanë hapur më shumë se 160 hetime.

70 persona janë akuzuar deri më tani. Steven D’Antuono, ndihmësi i drejtorit, përgjegjës i zyrës së FBI-së në Uashington, u shpreh se numri i aktpadive pritet të arrijë në qindra. FBI u bëri thirrje atyre që kanë qenë të përfshirë në trazira që të vetëdorëzohen para organeve të ligjit.

“Edhe nëse largoheni nga Uashingtoni, agjentët nga zyrat tona lokale do t’ju trokasin në derë”, paralajmëroi D’Antuono. Më herët FBI paralajmëroi për protesta të mundshme të armatosura në të gjithë Shtetet e Bashkuara, përpara inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, në 20 janar.

Agjencia federale e zbatimit të ligjit tha se “protestat e armatosura” mund të planifikohen në të 50 kryeqytetet e shteteve dhe në ndërtesën e Kongresit. Në shumicën e shteteve, me përjashtim të Uashingtonit, mbajtja e armëve është e ligjshme.

Top Channel