Do të prodhohen 2 mld doza/ Pfizer dhe Biontech “përveshin” mëngët për vaksinën anticovid

12/01/2021 00:55

Kompania farmaceutike gjermane BioNTech, e cila bashkë me kompaninë amerikane të barnave, Pfizer, kanë krijuar vaksinë kundër sëmundjes COVID-19, tha se planifikon të prodhojë dy miliardë doza të vaksinës këtë vit.

Parashikimi i mëhershëm ka qenë për 1.3 miliard doza, por së shpejti do të futet në përdorim edhe një linjë e re prodhimi. “Ne tani besojmë se mund të ofrojmë rreth dy miliardë doza deri në fund të vitit 2021”, tha kompania. Shifra e re përfshin edhe udhëzimet e përditësuara për nxjerrjen e gjashtë dozave nga secila shishe e vaksinës, në vend të pesë dozave të deklaruara fillimisht në etiketë.

BioNTech sqaroi se struktura e re e prodhimit që do të çelet në muajin shkurt në Marburg të Gjermanisë, do të rrisë kapacitetin vjetor me 750 milionë doza në vit. Për të qenë efektive, vaksina Pfizer/BioNTech duhet të jepet në dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh. Kjo vaksinë është miratuar nga Bashkimi Europian në fund të muajit të kaluar dhe është po ashtu në përdorim në Britani, Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

Një zëdhënëse e BioNTech-ut u shpreh se 50 milionë doza të vaksinës janë prodhuar në fund të vitit 2020, siç edhe ka qenë e planifikuar më parë, porse dërgesat janë lënë në pritje, pasi janë bërë porosi specifike, për të shmangur kohën e tepërt të magazinimit. Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara janë kritikuar për ritëm të ngadalshëm të vaksinimit.

Top Channel