Biden merr dozën e dytë/ Presidenti i zgjedhur i SHBA: Do të arrihet rritje e shkallës së vaksinimit

12/01/2021 01:17

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka marrë dozën e dytë të vaksinës kundër koronavirusit. Procedura u transmetua në rrjetet kabllore, pak minuta pasi ndodhi.

Në komentet e shkurtra për gazetarët, Biden tha se ka besim të plotë tek ekipi i tij se do të arrinte rritjen e shkallës së vaksinimit, pasi ai të marrë detyrën në 20 janar.

Doza e parë e vaksinës së Pfizer/BioNTech, presidentit të zgjedhur iu administrua në 21 dhjetor. Për të qenë efikase, ajo duhet të jepet në dy doza, me një diferencë kohore prej tre javësh.

Koronavirusi në Shtetet e Bashkuara ka prekur mbi 22 milionë njerëz, ndërsa ka marrë mbi 374,000 jetë njerëzish. Këto shifra i bëjnë Shtetet e Bashkuara, vendin më të goditur në botë. Në Europë, e para është Mbretëria e Bashkuar me mbi 3.1 milionë të infektuar dhe 82,000 viktima. Numri global i të infektuarve ka kaluar 90 milionë, ndërsa ai i vdekjeve është më shumë se 1.9 milionë.

Top Channel