E bujshme nga Italia. Lazio nxjerr në shitje Thomas Strakoshën, me portierin shqiptar që mund të largohet që në merkaton e janarit. Sipas portaleve pranë klubit lacial, rebelimi i Strakoshës pasi ka mësuar se nuk do të ishte titullar këtë javë ndaj Parmës, i ka kushtuar shtrenjtë portierit shqiptar.

Ky i fundit kishte hedhur dorashkat në tokë pasi kishte mësuar vendimin e Inzaghit dhe kishte braktisur fushën stërvitore, duke shkuar direkt në shtëpi e deklaruar se kishte probleme fizike. Klubi e mbështeti këtë hipotezë për të mos krijuar telashe mediatike, por është mësuar se Strakosha është gjobitur për këtë veprim të tijin.Të njëjtat burime tregojnë se pakënaqësia e portierit dhe ky rebelim, kanë shtyrë drejtuesit e Lazios që të planifikojnë largimin e shpejtë të tij.

Trajneri Inzaghi gjatë kësaj periudhe i ka besuar vendin e titullarit ekspertit Reina, duke ulur në stol kuqeziun i cili që nga momenti që u infektua me COVID-19, është aktivizuar vetëm në ndeshjen ndaj Fiorentinës. Në verë Strakosha ishte pranë rinovimit me Lazion, por që nga momenti që humbi vendin e titullarit, ai ka refuzuar të hedhë firmën mbi kontratën e re.

Mbetet për t’u parë nëse në këtë sesion merkatoje, do të vinë oferta në drejtim të Lazios për kartonin e portierit shqiptar, duke patur parasysh krizën ekonomike në futboll prej pandemisë, si dhe vlera e lartë e kartonit të kuqeziut, me Lotiton e Taren që synojnë të përfitojnë 15 deri në 20 milionë euro nga shitja e Strakoshës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA