Përvjetori i themelimit të OMONIA, presidentja greke: Shqipëria, përparim të rëndësishëm në rrugën drejt modernizimit

11/01/2021 16:38

Presidentja greke Katerina Sakelaropoulou me rastin e përvjetorit të 30-të të krijimit të Omonias, ka dërguar një mesazh për përfaqësuesit e minoritetit grek në Shqipëri, duke kërkuar unitet brenda këtij minoriteti dhe duke ofruar mbështetjen e saj.

“Me shumë emocion përshëndes përvjetorin e 30-të nga themelimi i Bashkimit Demokratik të Pakicës Kombëtare Greke – OMONIA, thotë midis të tjerash presidentja, “një iniciativë që synon mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të Pakicës Kombëtare Greke Autoktone në Shqipëri”.

Sipas saj, “në këto tre dekada, OMONIA paraqet një veprimtari të pasur dhe përpjekje të rëndësishme, ndërsa në të njëjtën kohë, Shqipëria ka bërë një përparim të rëndësishëm në rrugën e saj drejt modernizimit dhe tani është një kandidate për anëtarësimin në BE”.

“Sigurisht duhet të ndërmerren shumë hapa të tjerë në mënyrë që rruga europiane e vendit të kalojë në fazën tjetër. Për këtë qëllim, mbrojtja e të drejtave të Minoritetit Grek, e drejta e lire e vetëpërcaktimit, përdorimi i lire i gjuhës greke, arsimi në gjuhën greke dhe sigurimi i të drejtave të pronësisë, janë parakushte te  bazuara në vendimet Europiane dhe shteti grek do të jetë aty, si gjithmonë, për të monitoruar shkallën në të cilën plotësohen këto parakushte dhe për të treguar çdo mangësi dhe vonesë”, – nënvizon Sakelaropoulou.

Ajo shton gjithashtu se “është po aq e rëndësishme që anëtarët e Pakicës Kombëtare Greke të tregojnë një frymë solidariteti dhe uniteti, veçanërisht gjatë  vitit 2021, vit i përvjetorit te Revolucionit grek,  i cili karakterizohet nga sfida të rëndësishme dhe se vetëm në këtë mënyrë do të dëgjohet më qartë dhe më fort zëri i homogjeneve dhe do të përmirësohen me një ritëm më të shpejtë kushtet e jetesës në shtëpitë e të parëve të tyre në Shqipëri”.

“Me këto mendime, uroj që OMONIA të vazhdojë përpjekjet e saj në dekadën e katërt të jetës së saj në të mirë të anëtarëve të saj, te Shqipërisë dhe marrëdhënieve Greko-Shqiptare dhe ne ketë aspekt shteti grek do të qëndrojë gjithmonë si një mbështetës dhe ndihmës”, përfundon mesazhin e urimit presidentja e Greqisë.

Top Channel