Reshjet e dendura të shiut, gjatë mbrëmjes së të dielës kanë përkeqësuar edhe me tej situatën e përmbytjeve në bashkinë e Shkodrës.

Mbi 1800  hektarë tokë janë nën ujë ndërsa  dëmet me të mëdha raportohen në njësinë administrative të Anës së Malit, atje ku Oboti vijon të jetë i izoluar. Shqetësues mbetet edhe niveli i liqenit të Shkodrës,aktualisht në kuotën 8.6 metër, vetëm 10 centimetër larg pikës maksimale.

Por padyshim një nga zonat më të dëmtuara në nënShkodër, është njësia administrative e Dajcit me rreth 800 hektarë tokë nën ujë. Shkaktari kryesor është dalja nga shtrati  e lumit Buna ku gjatë kësaj të hënë, ishte 13 cm mbi kuotat maksimale.

Reshjet e shiut me intensitet të lartë gjatë orëve të fundit,  kanë rritur nivelet edhe  në Hidrocentralet e Komanit dhe Vau i Dejësit. Deri në mesditën e së Henës, KESH raportoi zyrtarisht për 1100 metër kub shkarkime ne total.

Top Channel