Ndër të fundit vende pa covid/ Konfirmohet një rast pozitiv edhe në Mikronezi

11/01/2021 13:43

Shtetet e Federuara të Mikronezisë kanë regjistruar rastin e parë të koronavirusit.

Në një fjalim në televizion, para kombit, presidenti David Panuelo ka pranuar se lajmi është alarmant por ka ftuar qytetarët të ruajnë qetësinë. “Nuk ka nevojë për panik pasi situata është nën kontroll”, tha ai. Mikronezia ishte një nga vendet e fundit në botë që ishin kursyer nga koronavirusi. Pozitiv ka rezultuar një marinar i një anijeje qeveritare që ishte dërguar për riparime në Filipine.

Ai dhe kolegët e tij kanë qëndruar në bord në anijen e ankoruar në një lagunë, dhe nën mbikëqyrje konstante. Për tu mbrojtur nga pandemia, vendet ishullore në paqësor kishin vendosur menjëherë të mbyllnin kufijtë e tyre, pavarësisht kostos të lartë për shumëkënd të kësaj mase dhe për ekonomitë e tyre që varen shumë nga turizmi.

Një qëndrim i tillë, shumë i kujdesshëm, ishte marrë edhe për shkak të sistemeve të dobëta spitalore dhe dominimit të gjerë të obezitetit dhe problemeve kardiake në popullatë.

Top Channel