Indonezia të mërkurën do të fillojë vaksinimin kundër COVID

11/01/2021 10:45

Indonezia këtë javë do të fillojë vaksinimin kundër COVID-19 dhe presidenti Joko Widodo do të jetë i pari që do ta marrë atë.

“Dashtë Zoti, ne do të fillojmë procesin e vaksinimit të mërkurën“, tha ministri indonezian i Shëndetësisë, Budi Gunadi Sadikin, në një konferencë shtypi ditën e sotme.

Organi më i lartë mysliman i Indonezisë të premten shpalli hallall vaksinën Sinovac të Kinës për COVID-19, ose të lejueshme sipas Islamit.

Në një konferencë për shtyp, Asrorun Niam, sekretari i komisionit për fetva i Këshillit të Ulemas të Indonezisë (MUI), tha se vendimi u mor bazuar në një seancë plenare për të diskutuar përbërësit dhe proceset e prodhimit për vaksinën e koronavirusit të bërë nga kompania kineze, Sinovac Lifescience Co.

Sidoqoftë, ai tha se vendimi nuk është përfundimtar pasi trupi është ende duke pritur për raportin përfundimtar nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Ushqimit dhe Barnave (BPOM) në lidhje me sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin e vaksinës.

Top Channel