Prurjet e shumta të lumit Shkumbin kanë vënë në alarm autoritetet lokale.
Konkretisht në territorin e Bashkisë Rrogozhinë janë disa pika, ku lumi Shkumbin rrezikon të dalë nga shtrati. Për këtë, shtabi i emergjencave në bashkinë në fjalë ka dalë në terren dhe po monitoron situatën. Sipas shefit të emergjencave në këtë bashki, Adriatik Leka u është bërë thirrje gjithë banorëve, të cilët kanë bizneset dhe banesat në këto zona, ku rreziku është më i lartë, që të marrin masa.
Sipas Lekës janë marrë të gjitha masat në rast se prurjet do të shtohen, që këto familje të cilat rrezikohen, të akomodohen në palestrën e shkollës së mesme. Leka shprehet se nëse prurjet janë në këtë nivel nuk beson se do ketë rrezik daljeje, por gjithsesi masat po merren paraprakisht. Banorë të cilët rrezikohen nga përmbytja kanë dalë bashkë me shtabin e emergjencave, ku ndjehen të frikësuar nga dalja e lumit, pasi sipas tyre kjo situatë është përsëritur dhe disa herë më parë.
Veç zonës së Rrogozhinës, lumi Shkumbin rrezikon të dalë dhe në disa nga zonat e Bashkisë së Divjakës, në zonën e Çermës dhe të Sulzotajt. Edhe në këtë bashki po monitorohet me kujdes situata dhe u është bërë thirrje banorëve që të bëjnë kujdes.
Top Channel