Instituti Hidrometorologjik i Kosovës njoftoi se pas reshjeve të shiut dhe bores, ka pasur vërshime të mëdha uji në disa pjesë të vendit.
Sipas parashikimeve të tij, pritet që edhe gjatë ditëve në vijim të ketë reshje në mbarë vendin. Situata hidrometeorologjike në Kosovë, gjatë këtyre ditëve është e rënduar si pasojë e reshje të shiut me intensitet më të theksuar në Dukagjin, por edhe në pjesë të tjera të vendit, e cila ka shkaktuar ngritje të nivele nëpër lumenj.
“Më problematik paraqit gjendja në zonat e Drinit të Bardhë, ku nivelet kanë arritur kuota maksimale, e disa prej tyre kanë shkaktuar vërshime”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), u shpreh se pas gjendjes së krijuar me reshjet në nivel vendi, ka ngritur gjendjen e gatishmërisë, ndërsa gjatë orëve të vona të së shtunës janë realizuar operacione kërkim-shpëtimi në disa vende, ku është rrezikuar jeta e qytetarëve. Operacionet thuhet se kanë përfunduar me sukses.
Nga ana tjetër, në rrjetin social Facebook, Zjarrëfikësit e Kosovës kanë postuar disa fotografi, ku shihen duke ndihmuar qytetarët. Komuna e Malishevës bëri të ditur se rruga që lidhë fshatin Rud të saj me fshatin Sferkë të Klinës, është dëmtuar dhe është tërësisht e pakalueshme. Në Gjakovë, rreth 70 banorë të evakuuar janë sistemuar përkohësisht në ambjentet e aeroportit.
Top Channel