Ndër të akuzuarit edhe një ligjvënës nga Virxhinia Perëndimore

10/01/2021 03:59

Një ligjvënës i një shteti amerikan, mbështetës i zotit Trump, i cili filmoi veten duke sulmuar Kapitolin e Shteteve të Bashkuara dhe një burrë nga Arkansasi i cili u fotografua i ulur në zyrën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësueve Nancy Pelosi, janë mes dhjetëra protestuesish të akuzuar deri tani nga prokurorët federalë si pjesë e një hetimi të gjerë lidhur me sulmin e së mërkurës në Kapitol, njoftuan të premten zyrtarët federalë.

Derrick Evans, anëtar republikan i Dhomës së Delegatëve në Virxhinian Perëndimore, u akuzua për hyrjen në një zonë të ndaluar në Kapitol. Zoti Evans transmetoi video drejtpërdrejt në Facebook të vetes së tij duke hyrë me dhunë në Kapitol së bashku me një turmë protestuesish, ndërsa në një moment thotë, “Jemi futur brenda, jemi brenda”. Në një video të mëparshme të postuar në Facebook, tani të fshirë, zoti Evans paralajmëroi se protestuesit do të sulmonin ndërtesën.

Pjesëmarrja e ligjvënësit të Virxhinias Perëndimore në protesta ka nxitur thirrje për dorëheqjen e tij dhe është kritikuar nga guvernatori i atij shteti. Zoti Evans nuk mund të kontaktohej menjëherë nga shtypi. Por avokati i tij, John Bryan, tha në një deklaratë për rrjetin CNN se, “nuk ishte e qartë për zotin Evans se atij nuk i lejohej të ndiqte turmën në zonat publike në Kapitol, brenda së cilës tashmë gjendeshin shumë pjestarë të publikut”.

Fotografia e banorit të shtetit Arkansas, Richard Barnett, e tregon atë duke buzëqeshur i ulur brenda zyrës së zonjës Pelosi me këmbë të vënë sipër tavolinës. Kjo foto u bë imazhi që portretizoi trazirat, sulmi i parë masiv ndaj ndërtesës së Kongresit amerikan në më shumë se dy shekuj. 60-vjeçari Barnett u arrestua të premten në qytetin Little Rock të Arkansasit nën akuzën për hyrje në zyrën e zonjës Pelosi, ku ai mori një zarf zyrtar drejtuar një kongresmeni dhe la një “shkrim ofendues”, thanë zyrtarët federalë. Ai përballet me tre akuza: hyrja me dijeni dhe qëndrimi në vende të ndaluara; hyrja me dhunë dhe veprime të parregullta në mjedisin e Kapitolit; dhe vjedhje e parave publike, pronës ose regjistrave publikë, thuhet në dokumentet e gjykatës të publikuara të premten. Zoti Barnett, i cili përballet me deri në një vit burg, ndodhet i ndaluar në Arkansas në pritje të ekstradimit në Uashington.

Zoti Barnett i tha një kanali televiziv lokal në Arkansas të enjten se ai po kërkonte një banjo, kur përfundoi në zyrën e zonjës Pelosi. Ai pretendoi se e përgjaku një zarf në tavolinën e zonjës Pelosi dhe e mori me vete, ndërsa la 25 centë si kompensim. Dy individët e mësipërm janë mes 13 njerëzve të akuzuar deri tani në gjykatën federale të Uashingtonit në lidhje me trazirat. Akuzat u zyrtarizuan të enjten dhe u publikuan të premten. Po ashtu ndaj 40 individë të tjerë janë ngritur akuza në Gjykatën e Lartë të kryeqytetit amerikan, me shumicën prej tyre për hyrje të paligjshme dhe shkelje të orës policore.

Të premten vonë, Adam Johnson, një banor i Floridës i parë në një fotografi që u përhap gjerësisht, duke mbajtur foltoren e zonjës Pelosi nëpër korridoret e Kapitolit, u arrestua në kontenë Pinella të Floridës. Ai ndodhet i ndaluar në bazë të fletëarrestit nga marshallët amerikanë, sipas të dhënave të burgut. Akuzat ndaj tij ende nuk dihen. Mes të akuzuarve në gjykatën federale, 70-vjeçari Lonnie Coffman nga Alabama, akuzohet për posedim arme zjarri të parregjistruar dhe mbajtjen e një pistolete pa leje. Brenda kamionit të tij të parkuar pas ndërtesës së Kongresit, policia gjeti të mërkurën 11 bomba Molotov, për të cilat një zyrtar tha se “ në thelb përbënin napalm të bërë në rrugë artizane”.

Drejtori i FBI-së Christopher Wray tha se akuzat e ngritura deri tani “janë vetëm fillimi i përpjekjeve të vazhdueshme të FBI-së për t’i mbajtur ata përgjegjës” për trazirat e së mërkurës. “Ne do të vazhdojmë të hetojmë në mënyrë agresive çdo individ që vendosi të mos marrë parasysh ligjin dhe në vend të saj të nxisë dhunë, të shkatërrojë pronën dhe të dëmtojë të tjerët,” tha zoti Wray përmes një deklarate. Ken Kohl, ndihmësi i parë i Prokurorit të Përgjithshëm për kryeqytetin amerikan tha se Departamenti i Drejtësisë ka caktuar qindra prokurorë dhe agjentë në atë që ai e cilësoi si hetim i vazhdueshëm me orar të pandërprerë.

Duke punuar nga tre qendra komande, hetuesit po studiojnë të gjitha videot e sigurisë dhe imazhet nga media sociale për të identifikuar dhe gjurmuar protestuesit. “Departamenti nuk do të kursejë asnjë burim në përpjekjet për të mabjtur përgjegjës të gjithë këta njerëz, dhe do të jetë diçka për të cilën po punohet çdo orë, ditë dhe javë ndërsa zhvillojmë hetimet,” tha Kohl gjatë një konference telefonike me gazetarët. Trazirat dhe plaçkitjet shpërthyen mbasditen e së mërkurës, kur qindra mbështetës të Presidentit Trump, të zemëruar për humbjen e tij ndaj zotit Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit, u futën me forcë në ndërtesën e Kongresit amerikan ku gjendet Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve ndërsa ligjvënësit ishin mbledhur në një seancë të përbashkët për të çertifikuar fitoren e demokratit Biden.

Në një video të publikuar të enjten vonë, Presidenti Trump dënoi dhunën dhe bëri thirrje për shërim. Por para kësaj, për javë të tëra ai pretendoi në mënyrë të rreme se ai i fitoi zgjedhjet në masë të madhe por se i ishte grabitur fitorja, një pretendim që besohet nga shumë mbështetës të tij. Gjatë një tubimi pranë Shtëpisë së Bardhë të mërkurën, Presidenti Trump u kërkoi mijëra mbështetësve të tij që të marshonin drejt Kapitolit dhe të protestonin për rezultatin e zgjedhjeve.

Dhuna që pasoi, e cila la pesë të vdekur, përfshi një polic të Kapitolit, ndaloi përkohësisht punimet për çertifikimin e zotit Biden. Ligjvënësit u mblodhën në mbrëmje vonë për të çertifikuar zotin Biden si presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara dhe Kamala Harris si nënpresidenten e ardhshme. Zyrtarët e zbatimit të ligjit thanë se po hetonin rrethanat që çuan në humjen e jetës së policit por nuk thanë se po bënin hetime për një rast vrasjeje.

Presidenti Trump u dënua gjerësisht për nxitje dhune duke inkurajuar mbështetësit e tij që të marshonin në Kapitol dhe të kërkonin që anëtarët e Kongresit ta deklaronin atë fitues të zgjedhjeve. Në një qortim të rrallë, ish-Prokurori i Përgjithshëm William Barr, një aleat i vendosur i zotit Trump ndërsa ishte në detyrë, tha përmes një deklarate të enjten se sjella e presidentit “ishte tradhëti ndaj zyrës dhe mbështetësve të tij.”

I pyetur nëse prokurorët po shqyrtonin rolin e zotit Trump në nxitjen e sulmit të dhunshëm në Kapitol, Michael Sherwin, prokurori i përgjithshëm në detyrë për Uashingtonin tha për gazetarët të enjten se, “ne po shqyrtojmë të gjithë aktorët në këtë mes, dhe kushdo që ka luajtur një rol dhe për të cilët provat përshtaten me elementet e krimit, ndaj tyre do të ngrihen akuza”.

Por mbetet e paqartë se sa njerëz do të përballen përfundimisht me akuza. Forca e policisë së Kapitolit ka thënë se mijëra njerëz ishin përfshirë në vepra trazirash, me disa qindra prej tyre që u futën në ndërtesë. Por ndërsa policia e Kapitolit i la gati të gjithë që të dilnin lirshëm nga ndërtesa, hetuesit federalë po përballen me një detyrë të vështirë për gjurmimin e tyre në mbarë vendin.

Zoti Kohl tha se hetuesit ende nuk kanë përcaktuar se sa njerëz udhëtuan drejt Uashingtonit për të marrë pjesë në sulmin ndaj Kapitolit dhe se në çfarë shkalle kishte koordinime për këtë veprim. “Ne nuk do ta dimë këtë deri sa të arrijmë në fund të hetimit,” tha ai./VOA

Top Channel