Shqetësime për sigurinë, 2 kompjutera u vodhën gjatë sulmit në Kongres

09/01/2021 13:10

Të paktën dy kompjutera janë vjedhur nga kongresi kur mbështetësit e Donald Trump sulmuan ndërtesën të mërkurën, përfshirë një nga zyra e kryetares së dhomës së përfaqësuesve, Nancy Pelosi, duke ngritur shqetësime për sigurinë e informacioneve.

Një ndihmës i Pelosit konfirmoi se një laptop ishte vjedhur nga zyra e kryetares duke thënë se ai i përkiste një dhome konferencash dhe përdorej për prezantime, por nuk dha më shumë detaje se çfarë informacionesh mund të mbante ai. Ndërsa një tjetër kompjuter ishte vjedhur në zyrën e senatorit demokrat Jeff Merkley, të Oregonit.  Pas sulmit të së mërkurës mbi kongres, pjesëtarët e stafit u detyruan të largoheshin me shpejtësi, duke lënë pas të pambrojtur shumë kompjuterë dhe pajisje të tjera.

Fotot e postuara nga vetë protestuesit, brenda kongresit, tregonin kompjuterat, përfshirë atë të zyrës së Ppelosit, me inboxin e e-maileve krejtësisht të dukshëm. Se cfarë tjetër mund të jetë marrë gjatë kaosit, nuk është bërë ende e ditur. Disa ekspertë të teknologjisë informatike janë të shqetësuar se ata që hynë në ndërtesë mund të kenë vendosur edhe softwere të dëmshme në kompjutera edhe pse nuk është e qartë nëse mjetet ishin në fokus të sulmit.

Top Channel