Rusi/ Një i vdekur dhe tre të plagosur pasi një sasi akulli u shkëput nga ujëvara në qytetin turistik

09/01/2021 11:34

Një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën pasi një copë e madhe akulli ra nga ujëvara e ngrirë në një atraksion turistik të njohur në Rusi.

Një ekuipazh shpëtimi u dërgua në ujëvarën 40 metra të gjatë, Vilyuchinsky në gadishullin Kamchatka, ku katër njerëz u raportuan të bllokuar pasi copa e akullit ra të enjten, tha Ministria e Emergjencave Ruse.

Një nga personat e përfshirë në incident humbi jetën, tha ministria, ndërsa tre të tjerë u plagosën, duke përfshirë edhe një fëmijë.

Fëmija është në kujdes intensiv me dëmtime serioze, sipas BBC.

Marina Volkova, zëvendësministrja e shëndetësisë e territorit Kamchatka, tha se familja kishte fluturuar nga Vladivostok një ditë më parë.

Ministria e Emergjencave në Rusi vuri në dukje se grupe të veçanta turistësh mundën të largohen nga vendi dhe nuk u raportuan viktima të tjera.

Raportet e mediave ruse kanë sugjeruar që një ortek nga një vullkan i afërt mund të ketë shkaktuar potencialisht shembjen, por kjo nuk është konfirmuar.

Ujëvara rrjedh nga uji që shkrihet nga një akullnajë në shpatet e vullkanit Vilyuchinsky.

Burimi: The Independent

Top Channel