Platforma e mbështetësve të Trump/ “Parler” ndëshkohet nga “Google” dhe “Apple”

09/01/2021 12:54

Google ka pezulluar aplikacionin e rrjetit social Parler nga Play Store deri sa platforma popullore mes mbështetësve të Donald Trump të marrë masa drastike për përmbajtjen që postohet në të.

Ndërsa twitter-i pezulloi përgjithnjë llogarinë e presidentit amerikan, pas sic tha ai, rrezikut për nxitje të mëtejshme të dhunës, motori i kërkimeve tha se do të bllokonte Parler dhe Apple po ashtu i dha shërbimit 24 orë kohë për të prezantuar një plan të detajuar ndryshimesh.

Parler është një rrjet social në të cilin janë mbledhur shumë mbështetës të Trump pasi u ndaluan nga platforma të tjera përfshirë Twitterin. Planet për protesta në Uashington DC, që përfunduan në sulm ndaj godinës së kongresit, u ndanë gjerësisht në Parler. Veprimet e dy kompanive teknologjike, bëjnë që Parler të jetë i padisponueshëm për tu shkarkuar. Sidoqoftë ai do të mbetet i aksesueshëm në browsera. Drejtuesit e Parler thanë se “Apple” i kishte vendosur aplikacionit kushte që nuk i aplikon për veten dhe se të dyja kompanitë po sulmonin liritë civile. Sidoqoftë ai shtoi se koordinimi i protestave, dhunës dhe rebelimeve, nuk ka vend në mediat sociale.

Top Channel