Një gjykatës federal bllokon kufizimet e azilit të administratës Trump

09/01/2021 09:27

Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara ka bllokuar zbatimin e reformave “të minutës së fundit” në sistemin e azilit të vendit nga ana e administratës së presidentit në largim, Donald Trump.

Reforma e propozuar mund të ndalonte që disa aplikantëve për azil të iu jepej statusi i të mbrojturit.

Gjykatësi në Kaliforni më 8 janar ndaloi masën pasi grupet e të drejtave të migrantëve kishin paraqitur ankesë, përmes së cilës argumentonin se zyrtari që kishte autorizuar një masë të tillë nuk ishte emëruar ligjërisht në atë detyrë.

Reformat, të cilat duhej të hynin në fuqi më 11 janar, do të kishin ripërcaktuar sesi njerëzit që përballen me persekutim në vendet e tyre mund të kualifikohen për azil në Shtetet e Bashkuara. Nëse aplikimet do të konsideroheshin “joserioze”, atyre mund t’u ndalohej përgjithmonë të fitonin një mbrojtje të tillë.

Trump më 8 janar kishte tërhequr nominimin e tij për zyrtarin që miratoi reformat -Sekretarin në detyrë të Sigurisë së Brendshme të SHBA-së, Chad Wolf, pasi ai dënoi sulmin e protestuesve të dhunshëm pro-Trump ndaj Kongresit amerikan më 6 Janar.

Top Channel