Dy javë pasi filloi fushatën e vaksinimit COVID-19, Izraeli kryeson në nivel botëror në imunizimet për frymë. Në fillim të javës (05.01) , Ministri i Shëndetësisë Yuli Edelstein tha se 1.37 milion izraelitë kanë marrë dozat e tyre të para të vaksinës BioNTech-Pfizer.
Krahasuar me vendet e tjera që filluan imunizimin e tyre në dhjetor, Izraeli është bërë “një kampion botëror në vaksinim”, shkroi Kryeministri Benjamin Netanyahu në Twitter.
Duke garuar për t’u rizgjedhur në zgjedhjet e parakohshme në mars, Netanyahu po u premton izraelitëve, se vendi mund të jetë i pari që “do të dalë” nga pandemia e koronavirusit, me kusht që ata të bëjnë vaksinimet e tyre. Një e ashtuquajtur pasaportë e gjelbër, e cila do të lejonte më shumë liri për njerëzit që janë vaksinuar, po aplikohet për të inkurajuar izraelitët të regjistrohen për vaksinim. “Unë mendoj, se ekziston një gatishmëri në shoqëri që të fillojë të dilet nga kjo situatë dhe për të rifituar ndjesinë kontrollit mbi jetën e tyre,” tha Diane Levin-Zamir, një profesore e shëndetit publik në Universitetin e Haifa. “Metafora e një vaksine thjesht po ndihmon njerëzit të shohin se ne po bëjmë hapa gjigantë nga pandemia e koronës”.
Më herët, qeveria kishte siguruar disa miliona doza të vaksinës BioNTech-Pfizer me dy faza. Vaksina e Moderna u miratua të martën (05.01), por dozat e para nuk priten deri në mars, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Përhapja e shpejtë e imunizimit është pjesërisht falë përmasave relativisht të vogla të Izraelit, sigurimit të vaksinave dhe sistemit të digjitalizuar të kujdesit shëndetësor të vendit. Çdo qytetar duhet të regjistrohet në një nga katër organizatat joqeveritare të mirëqenies shëndetësore (HMO) që ofrojnë kujdes. Tani, klinikat, spitalet dhe qendrat e improvizuara të vaksinimit po punojnë pothuajse 24/7 për të administruar vaksinimet. “Izraeli ka këtë infrastrukturë që nga njëra anë është shumë e orientuar drejt komunitetit,” tha Levin-Zamir, i cili gjithashtu punon si drejtor i departamentit të edukimit shëndetësor në HMO. “Është shumë e shpërndarë, ka shumë klinika të kujdesit parësor në çdo lagje apo qytete të vogla, por ne gjithashtu kemi një sistem të centralizuar të kujdesit shëndetësor.”
Tani për tani, personat mbi 60 vjeç, punonjësit e sektorit të kujdesit shëndetësor, kujdestarë dhe njerëzit me probleme shëndetësore u jepet përparësi. Në rrjetet sociale po tregohen raste se si të rinj shkojnë në klinika duke kërkuar për të marrë doza vaksine që mendojnë se nuk do të përdoren dhe mund të shkojnë dëm. Një dozë e hapur BioNTech-Pfizer duhet të përdoret brenda një kohe të shkurtër.
Coronavirus vazhdon të përhapet
Izraeli vazhdon të luftojë me shkallën e lartë të infeksionit të koronavirusit. Numri i të vdekurve aktualisht është 3,445 njerëz. Zyrtarët e shëndetësisë kanë sugjeruar që mbyllja e tretë mbarëkombëtare, e cila u vendos në dhjetor, të shtrëngohej këtë javë. “Vaksinimi i plotë është vetëm një javë pas dozës së dytë,” shkroi Ministri i Shëndetësisë Yuli Edelstein në Twitter. “Ndërkohë shkalla e infeksioneve po rritet shpejt. Prandaj, nuk ka zgjidhje tjetër përveç një mbylljeje të plotë dhe të shpejtë.”
Ndërsa problemet logjistike, financiare dhe politike janë të shumta, mbetet e pasigurt se kur do të fillojë vaksinimi për 5 milionë palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe në Rripin e Gazës. Si Rripi i Gazës i kontrolluar nga Hamasi ashtu edhe Bregu Perëndimor i administruar nga Autoriteti Palestinez kanë pasur rritje të kuotave të infektimit në muajt e fundit. Më shumë se 1,600 njerëz kanë vdekur nga COVID-19. Përkimi i rritjes së infeksioneve me pasqyrimin mediatik të fushatës së vaksinimit në Izrael bën që palestinezët të pyesin veten se kur është planifikuar vaksinimi për ta. Disa druajnë se imunizimet do të vonohen, pasi vendet e pasura vaksinojnë së pari popullatat. Shumë kanë diskutuar përgjegjësitë e Izraelit për të imunizuar palestinezët në kontekstin e konfliktit palestinezo-izraelit. Banorët palestinezë të Jeruzalemit Lindor kanë kryesisht akses në programin e vaksinimit përmes ofruesve të tyre lokalë të kujdesit shëndetësor të Izraelit.
Në një letër të hapur, disa organizata izraelite për të drejtat e njeriut i bënë thirrje qeverisë, si fuqi pushtuese, për të furnizuar ose për të ndihmuar në financimin e vaksinave për palestinezët. Disa zyrtarë kanë sugjeruar që qeveria mund të kthejë çdo tepricë pasi të vaksinohet popullsia e Izraelit. Burimet kanë theksuar se kjo do të ishte në interesin kombëtar, pasi mijëra palestinezë udhëtojnë çdo ditë përtej kufirit ose punojnë në vendbanimet izraelite. Kjo do të rrisë presionin ndaj Autoriteteve Palestineze për të siguruar vaksina nga vende të ndryshme dhe nga kompani farmaceutike. Vaksinat e prodhuara ruse Sputnik V dhe prodhimet e Mbretërisë së Bashkuar AstraZeneca janë përmendur si mundësi. “Ne jemi duke bërë më të mirën tonë për të marë vaksina dhe kemi bërë kërkesa në disa kompani,” tha Dr Yaser Bouzieh, drejtori i përgjithshëm i Departamentit të Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë Palestineze. Nuk ka një afat kohor të dakorduar që tani, shtoi ai, por “ne presim dorëzimin deri në fund të shkurtit ose në mars”.
Përveç kësaj, Autoritetet Palestineze kanë aplikuar për një mekanizëm të veçantë partneriteti me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Aleancën e Vaksinave Gavi. Programi COVAX i administruar nga OBSH synon të ndihmojë vendet me të ardhura të ulëta për të marrë një pjesë të barabartë të vaksinave. Si e tillë, kjo do të ndihmonte në sigurimin e vaksinave në faza për deri në 20% të punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe njerëzve mbi 60 vjeç ose që plotësojnë kushtet shëndetësore në Bregun Perëndimor dhe në Gaza. “Ne nuk e dimë akoma saktësisht kur vaksinat do të bëhen të disponueshme për shpërndarje, pasi shumë vaksina të mundshme janë duke u studiuar dhe janë duke u zhvilluar disa prova të mëdha klinike,” tha Gerald Rockenschaub, kreu i zyrës së OBSH-së për territoret palestineze. Nëntëdhjetë e dy vende pjesëmarrëse në program po presin miratimin emergjent të përdorimit të vaksinave para se të fillojë shpërndarja. “Ne vlerësojmë se mund të jetë në fillim të mesit të vitit 2021,” tha Rockenschaub.
Në ditët e fundit, media lokale ka raportuar se një mungesë e përkohshme e pritshme e furnizimeve të vaksinave do të ngadalësojë vaksinimin. “Thembra e Akilit qëndron në zinxhirin e furnizimit të vaksinës në janar,” shkroi Amos Harel kohët e fundit në gazetën Haaretz. Për të vazhduar fushatën e suksesshme, Izraelit do t’i duhet një furnizim i qëndrueshëm i vaksinave të premtuara./DW/
Top Channel