Hetimi ndaj forcave “Shqiponja”/ Nëse konstatohet shkelje në vrasjen e Klodian Rashës, do të nisë hetimi disiplinor

09/01/2021 11:32

Vrasja e Klodian Rashës një muaj më pare, nga efektivi i Forcave Shqiponja, Nevaldo Hajdaraj, i cili tashmë është në burg, u bë shkak që të niste një hetim i madh.

Tashmë edhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme ka nisur një hetim ndaj efektivëve të Forcave Shqiponja, pas denoncimeve të shumta të qytetarëve. Madje edhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, pak ditë më parë në Emsionin Open në Top Channel, deklaroi se do të shikohet mundësia që Forcat Shqiponja të mos e mbajnë armën e shërbimit me vete pas përfundimit të orarit të punës.

Burime të Top Channel nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, thanë se janë duke u zhvilluar paralelisht me hetimet edhe inspektime, jo vetëm për efektivët e forcave Shqiponja por edhe për drejtuesit e tyre. Kjo pas ngjarjes së rëndë ku mbeti i vrarë Klodian Rasha.

Konkluzionet e deritanishme të SHÇBA-së mbi hetimet, janë ende në përpunim, për shkak se ky proces ende nuk ka përfunduar dhe është shtrirë në të gjitha drejtoritë vendore ku operon kjo njësi, Shqiponjat.

Në rast të konstatimeve se efektivët kanë kryer shkelje, do të nis një hetim disiplinor ndaj tyre, i cili mund të ketë pasoja për ta. e njëjta gje do të vlejë edhe për drejtuesit e tyre.

Por hetim disiplinor do të ketë edhe për performancën e policëve në punë. Për këto hetime, pritet të ketë  edhe një raport përfundimtar me të gjitha gjetjet.

Ndërkaq, Top Channel, ka mësuar se SHÇBA, po kryen ekspertimin e armës me të cilin u vra Klodian Rasha, po ashtu edhe të armës e cila u gjet pak metra larg vendit të ngjarjes për të cilën u pretendua se i përkiste viktimës. Vrasja e Rashës, për disa ditë me radhë shkaktoi protesta, shpesh edhe me përplase me policinë.

Top Channel