Fundjava në Itali/ Nga Milano në Romë e Catania, qindra të rinj pijnë e kërcejnë pa maska para lokaleve (Fotot)

09/01/2021 19:36

Festa në rrugë e në hotele, ankesa të panumërta te autoritetet nga banorët e indinjuar prej tufave të të rinjve të harbuar e pa maska. Kjo ishte pak a shumë përmbledhja e fundjavës italiane të pandemisë, teksa autoritetet në Romë gjobitën aktorin turk Can Yaman pasi u takua me fansat e tij para hotelit.

Oraret e mbylljes së pandemisë nuk duket se dekurajuan festat e të rinjve teksa në shumë rrjete sociale shiheshin pamjet e dhjetra personave të grumbulluar në rrugë apo sheshe, dhe të lokaleve që sheshin pije nga dyert apo dritaret.

Që nga Milano në veri, në Romë, në Lucca apo Catania në jug, policia vendase ka ndërhyrë aq sa ka mundur pas njoftimeve të qytetarëve, duke vendosur gjobat prej 400 euro dhe duke mbyllur sheshet e rrugët.

Në Milano një festë në një apartament me qera në qendër kishte më shumë se 20 persona nga 15 deri në 23 vjeç, të cilët me ardhjen e policisë vraponin nëpër shkallë, aq sa dëmtuan strukturën e ndërtesës.

Në qytezën e Lucca, u raportua për një festë spontane në rrugë me rreth 100 të rinj që kërcenin me njëri-tjetrin, pa mbajtur distancë dhe në shumë raste pa maska.

Ndërsa në Romë policia gjobiti aktorin turk Can Yaman për grumbullimin e fansave para hotelit të tij.

Në fotot e postuara nga Catania, në jug të vendit, shiheshin qindra të rinj që pinin e kërcenin në rrugë. E njëjta gjë shihej edhe në Livorno, ku pas skenave kaotike kryebashkiaku tha se do të mbyllë baret.

 

FOTO GALERI
1/4
Në qytezën e Lucca, u raportua për një festë spontane në rrugë me rreth 100 të rinj

Top Channel