BE dyfishon porosinë/ Von der Leyen: Vaksina për të gjithë europianët dhe fqinjët

09/01/2021 01:58

Bashkimi Evropian ka nënshkruar një marrëveshje për dyfishimin e furnizimit me vaksinën anti kovid të Pfizer dhe Biontech për një total prej 600 milionë dozash. Lajmi u konfirmua nga vetë shefja e komisionit evropian, Ursula von der Leyen të premten.

“Aktualisht ne kemi akses në 300 milionë doza të vaksinës së Pfizer dhe Biontek. Lajmi i mirë është që ne tani kemi rënë dakord me prodhuesit ta zgjerojmë kontratën. Me marrëveshjen e re ne mund të blejmë një total prej 600 milionë dozash të vaksinës”- tha Von der Leyen.

Për presidenten e Komisionit Evropian, numri i dozave të vaksinës të porositura nga BE është më shumë se i mjaftueshëm për të vaksinuar të gjithë popullatën evropiane.

‘Kjo sjell më shumë siguri për planifikimin dhe krijon një moment të ri për vaksinimin në të gjithë Evropën por edhe për fqinjët tanë’- shtoi Von der Leyen.

Përveç 600 milionë dozave të vaksinës së Pfizer dhe Biontech që BE ka siguruar tashmë, komisioni ka marrëveshje paraprake edhe me vaksinën e dytë të miratuar tashmë nga rregullatorët evropianë, atë të Modernës. Kjo sipas von der Leyen, do të thotë, se me këto dy vaksina të autorizuara, evropa ka siguruar një sasi dozash që mbulon pjesën dërrmuese të popullsisë prej 380 milionë banorësh të bllokut.

I gjithë portofoli sipas Von Der Leyen, mbulon 2.3 miliardë doza vaksine dhe kjo është më shumë se e mjaftueshme për të vaksinuar të gjithë popullatën evropiane. Dhe ballkani perëndimor, përfshirë Shqipërinë, shpreson të përfitojë një sasi të konsiderueshme dozash vaksine anti kovid nga BE, përkrah atyre që do të vijnë nga nisma Covax e OBSH.

Top Channel