Shtohen telashet për Piolin, edhe Calhanoglu rrezikon të humbë Torinon

08/01/2021 00:29

Milani provoi shijen e humbjes në kampionat pas plot 304 ndeshjes, pasi u mposht me rezultatin 1-3 nga Juventuis në “San Siro”, por futbollistët kuqezi duhet të ngrenë kokën menjëherë, pasi në një kampionat kaq intensiv, të shtunën do t’u duhet të zbresin sërish në fushë.

Shorti u ka përcaktuar një tjetër ndeshje në “San Siro”, këtë herë të shtunën në mbrëmje përballë Torinos, që drejtohet nga ish trajneri i Milanit, Marco Giampaolo dhe që së fundi ka filluar të tregojë shenja rritjeje në fushën e lojës.

Kuqezinjtë do të provojnë jo vetëm të ruajnë ende kreun e kampionatit, por edhe të shkëputen, duke qenë se të dielën në mesditë do të luhet një përballje direkte si Roma-Inter, megjithatë Pioli do të duhet të bëjë llogaritë sërish me mungesa të shumta.

Kështu Ibrahimovic nuk do të jetë në dispozicion, pasi pritet vetëm fundjavën e ardhshme, ndërsa edhe Bennacer, Saelemaekers e Gabbia janë ende larg rikthimit në fushë, pasi duhet të pushojnë edhe disa ditë.

Sa u përket të prekurve nga koronavirusi, Ante Rebiç dhe Rade Kruniç, nuk mund të përcaktohet një kohë rikthimi, por Pioli i pret vetëm në javën e fundit të janarit, ndërsa meraku i trajnerit është se mos listës së të infektuarve mund t’u shtohen të tjerë futbollistë.

Në mesfushë do të rikthehet nga pezullimi Sandro Tonali, por emergjenca mund të vijojë, pasi turku Hakan Calhanoglu pësoi një dëmtim muskulor mbrëmjen e djeshme ndaj Juventusit dhe gjendja e tij duhet monitoruar.

Ende nuk ka të dhëna nëse Calhanoglu do të jetë gati për ndeshjen e të shtunës apo jo, pasi vetëm nesër do të testohet gjendja e tij në seancën stërvitore, për të parë a do të jetë në gjendje të përballojë ngarkesën.

Në një situatë të tillë emergjence, duket qartë që Piolit i mungojnë alternativat, por tani trajnerit kuqezi do t’i duhet të punojë edhe me anën morale të një grupi futbollistësh të rinj, që pësuan humbjen e parë pas thuajse një viti dhe reagimi mund të mos jetë gjithmonë ai i duhuri.

Top Channel