Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar sërish probleme pranë pallatit 5-katësh në lagjen “Punëtori” në Gjirokastër i njohur tashmë prej ngjarjes së tre viteve më parë ku këtu u shënua një rrëshqitje masive shumë pranë pallatit.
Reshjet e ditëve të fundit kanë riaktivizuar çarjet duke i zgjeruar ato me 10 cm si dhe kanë rrëzuar një mur gjatësor që mbronte një vilë pranë këtij pallati. Çarjet prekin një gjatësi më shumë se katër metra ndërsa vlerësimet paraprake konfirmojnë se risku është riaktivizuar.
Për këtë territor asnjëherë nuk është marrë një masë siç është premtuar. Ka një projekt që u realizua pas një vletësimi të gjeologëve por që ende nuk ka marrë financim, ndërsa 15 familjet që jetojnë këtu kërkojnë zgjidhje emergjente pasi edhe situata duket se është emergjente.
“ Kjo çdo vit ka ikur nga pak por sivjet që kanë rënë shumë shira ka ikur shumë. Shikoni si është bërë. A u shpall ky pallat i pabanueshëm?
Po i nxorën një herë njerëzit jashtë por unë isha në Greqi atëherë, pastaj nuk kishin ku shkonin e erdhën prapë por kemi qenë të ndërgjegjahëm për rrezikun gjatë gjithë kohës. Jam çuar shumë herë natën për të parë ç’bëhej.”
“ E gërmoi ajo poshtë dhe rrëshqet tani. Preu kokën e shtëpisë ajo, i preu shtufit drejtimin. I thashë djalit të shkonte të shihte ç’bëhej atje por i kishin dhënë leje. Çtë bëjmë ku të vemi e kaluam natën me frikë”
“Kam 25 vjet këtu dhe ka shkarë tre herë, në 2000, në 2018 dhe tani dhe jemi lënë në mëshirë të fatit.”
“Në fillim kur pati probleme pallati na u tha që nuk ka rrezikshmëri dhe ne kemi qëndruar. Vajti tre vjet që këtu nuk është bërë asnjë investim i vogël.”
Aktualisht kanë ardhur për të monitoruar situatën autoritetet vendore dhe një ekip inxhinierësh nga bashkia. Situata sipas tyre nuk vlerësohet e rrezikshme sepse në rrafshin e rrëshqitjes gjenden vetëm pjesë sipërfaqësore të shtufit megjithatë banorët pretendojnë për një rrezik të lartë pasi rrëshqitja po avancon dita-ditës.
Prefekti i Qarkut Odise Kote: “Presim të marrë mbështetje një projekt i madh që do të stabilizonte gjithë kodrën dhe kjo nuk mbulohet me fonde vendore. Nëse nuk do të kishte rrezik nuk do ishim këtu. Por për momentin specialistët thonë së banorët duhet të qëndrojnë në shtëpi”
Kryetari i bashkisë Flamur Golemi: “Kjo është një situatë e mbartur dhe i bie qytetarëve të paguajnë gabimet e së kaluarës. Po presim përgjigje nga emergjencat kombëtare. Për momentin situata është nën monitorim”
Nuk pritet për momentin një evakuim i banorëve megjithatë vijon të flitet për një projekt investimi kapital që nuk është në kompetencat vendore.
Top Channel