Man. United blen talentin e Atalantës, Solskjaer: E ndjekim prej vitesh, do bëhet lider

08/01/2021 00:10

Manchester United ka prezantuar pasditen e sotme blerjen më të re, që është sulmuesi 18-vjeçar nga Bregu i Fildishtë, Amad Diallo Traore. Ky i fundit është rritur në ekipet e moshave të Atalantës dhe ka debutuar me zikaltrit edhe në Serinë A e Ligën e Kampionëve.

Diallo luan si sulmues krahu dhe shihet si një nga talentet më premtuese, ndërsa për kartonin e tij drejtuesit e “djajve të kuq” paguan plot 21 milionë euro në arkat e klubit italian të Atalantës.

Ka qenë vetë trajneri Ole Guynnar Solskjaer ai që ka kërkuar me ngulm afrimin e Diallo, gjë që e pranoi edhe pak ditë më parë në një intervistë për mediat britanike, ndërsa tani ka në dispozicion 18-vjeçarin që pritet të integrohet gradualisht në skuadër.

“Ne si klub e kemi ndjekur Diallo vazhdimisht gjatë viteve të fundit dhe duke qenë se e kam parë edhe personalisht, mund të them se është një nga të rinjtë më interesantë në qarkullim. Ne në Manchester kemi treguar se dimë të punojmë dhe t’i rritim talentet e rinj, ndaj Diallo besoj se do të ketë një karrierë të ndritur këtu. Do t’i duhet pak për t’u integruar, por shpejtësia, vizioni dhe aftësitë e jashtëzakonshme për të dribluar, do ta ndihmojnë të bëhet shumë i rëndësishëm”, u shpreh Solskjaer për sulmuesin 18-vjeçar.

“Pas një pritjeje që prej verës së vitit të kaluar, më në fund bëhet realitet ëndrra ime që të luaj për një klub si Manchester United. Jam shumë ambicioz dhe dua të arrij shumë në karrierë, ndaj kur fola me Solskjaer, kuptova se kam zgjedhur klubin e duhur. Gjeta një klub me shumë futbollistë të mëdhenj dhe premtoj se do të punoj shumë çdo ditë për të mësuar prej tyre dhe për t’u vënë në shërbim të ekipit’, deklaroi Diallo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA