“Ekziston mundësia që dhjetëra mijëra njerëz të tjerë kanë qenë me COVID-19 në Wuhan”

08/01/2021 10:39

Hulumtimet e zbatuara në Kinë kanë zbuluar se “ndoshta” kanë qenë të infektuar dhjetëra mijëra njerëz që nuk kanë treguar kurrfarë simptomash të sëmundjes gjatë pandemisë në Wuhan të Kinës, ku u paraqit lloji i ri i koronavirusit.

Një studim i kryer nga shkencëtarë nga laboratori i virologjisë i Universitetit Wuhan dhe laboratori Wuhan CMLabs u botua në revistën PLOS Neglected Tropical Disease.

Shkencëtarët kryen teste gjaku për të paktën 63 mijë njerëz të shëndetshëm nga marsi deri në maj të vitit të kaluar.

Si rezultat i hulumtimit, shkencëtarët deklaruan se gjatë epidemisë në Wuhan u vlerësua se rreth 168 mijë njerëz ishin pozitivë me COVID-19 dhe se të paktën dy të tretat e tyre ishin asimptomatikë.

Koronavirusi i ri, i cili u shfaq në Wuhan të Kinës në dhjetor të vitit 2019, u përhap në mbarë botën dhe u kthye në një pandemi.

Numri i rasteve të konfirmuara me këtë virus ka tejkaluar 88.5 milionë, ndërsa më shumë se 1.900.000 njerëz vdiqën si rezultat i infeksionit me koronavirus./AA/

Top Channel