Këtë fillim viti ka nisur dorëzimi i banesave të para individuale për familjet e dëmtuara nga tërmeti 26 nëntorit të vitit 2019 në Durrës.

Shumë familje të pashpresa pritet të marrin në dorëzim çelësat e shtëpive të reja. Në të gjithë bashkinë e Durrësit janë konstatuar mbi 1000 banesa individuale të dëmtuara nga tërmeti dhe 455 prej tyre janë aktualisht në proces rindërtimi. Ky proces pritet të përfundojë brenda pranverës për të vijuar punën me banesat e tjera individuale.

Pas tërmetit të 26 nëntorit familja Sina u vendos në çadër, po një vit më pas aty ku ngrihej çadra në zonën e ish-kënetës filloi të ndërtohet shtëpia e re. Shpresat që fundi i këtij dimri t’i gjejë në banesë janë të mëdha.

Edhe Trashe Mehmetaj një grua e ve që jeton vetëm prej 11 vitesh i gëzohet shtëpisë gati në përfundim.

Gjatë procesit të rindërtimit ka pasur dhe problematika të ndryshme, fati i të cilave pritet të zgjidhet me VKM-në e dalë në muajin dhjetor. Këto shtëpi nuk do të ndërtohen nga shteti, po nga vetë familjet të cilat do të përfitojnë grantin e rindërtimit.

Janë kryesisht shtëpi që nuk ndërtohen dot në të njëjtin vend ku ishin për shkak të terrenit të vështirë, apo dhe pasi disa familje nuk janë dakort me shtëpitë model të miratuara për ndërtim.

Sipas autoriteteve vendore, përparësi gjatë këtij viti, kur procesi i rindërtimit ka hyrë në një fazë të re, do të kenë familjet që banojnë në çadra dhe kontenierë.

Top Channel