Ballkani dhe Evropa lindore/ E djathta ekstreme përkrah dhunën në SHBA

08/01/2021 11:11

Vëzhguesit në mbarë botën u shokuan kur panë protestuesit e dhunshëm, teksa sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan, në një përpjekje të dhunshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve legjitime presidenciale, me qëllim që t’i japin edhe një mandat të dytë presidentit aktual, Donald Trump.

Por, komentuesit nga e djathta ekstreme e spektrit politik në Evropën Lindore dhe në Ballkan, në shumë raste, u inkurajuan nga ajo që panë, thotë REL. Shumë prej tyre ndanë momente nga festimet për Krishtlindjen Ortodokse në 7 janar, për të treguar solidaritetin e vet me protestuesit në SHBA, disa prej të cilëve gjatë protestës valëvitën flamurin e Konfederatës amerikane, një simbol racist.

Andreas Umland, që shkruan ekskluzivisht mbi ekstremizmin politik në mbarë botën, shkroi në Facebook, se Trump nuk është i ndikuar ideologjikisht siç janë figurat djathtiste në mbarë botën.

“Termat e tillë si ‘fashist’ nuk tingëllojnë aq mirë për të, pasi terma të tillë kanë në vete një shkallë minimale të informacionit ideologjik, i cili, Trumpit thjesht i mungon”, tha ai. “Megjithatë, ai pëlqehet nga e djathta ekstreme – jo vetëm në SHBA, por në mbarë botën”, shkroi Umland.

Një numër i madh i figurave të së djathtës ekstreme në Evropën Lindore dhe në Ballkan, gjetën mbështetje për pikëpamjet e tyre gjatë ngjarjeve të dhunshme që u panë në Shtetet e Bashkuara. Në Ukrainë, Serhiy Korotkikh, lider i Lëvizjes Azov e së djathtës ekstreme, që nga Departamenti Amerikan i Shtetit është cilësuar si “grup nacionalist i urrejtjes”, ka mirëpritur trazirat në SHBA, duke përdorur terma raciste. Kreu i Lëvizjes për ndryshim në Mal të Zi, Nebojsha Medojvic, i cili është pro-serb dhe pro-rus – po ashtu një entuziast i madh i Trumpit dhe i teorive konspirative që e përshkruajnë COVID-19 si një mashtrim nga ‘satanistët botërorë’ – në postime në Twitter e ka përshkruar Trumpin si “presidentin e parë amerikan, që prej Kennedyt, që ka kundërshtuar anarkinë dhe nga personat që sundojnë nga prapaskenat”.

Ngjarjet në Uashington rezonancën më të fortë e gjetën në figurat e së djathtës dhe nacionalistët në Serbi. Nikola Sandulovic, kreu i Partisë Nacionaliste Republikane, postoi në Twitter një fotografi të një mbështetësi të Trumpit, që përdhoste statujën e ish-presidentit amerikan, Gerald Ford, që gjendet brenda Kongresit, dhe me shkronja të mëdha shkroi: “Era e lirisë, drejtësisë dhe së vërtetës”.

Top Channel