Qeveria e Sri Lankës vijon djegien e kufomave të viktimave të COVID-19

07/01/2021 22:20

Qeveria e Sri Lankës ka njoftuar se praktika e djegies së trupave të personave të vdekur nga COVID-19 në krematoriume, pavarësisht nga përkatësia fetare, do të vazhdojë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të opozitës në parlament, ministrja e Shëndetësisë Pavithra Wanniarachchi deklaroi se kanë marrë këtë vendim në përputhje me raportin e përgatitur nga Këshilli i Komunitetit të Mjekëve (CCPSL) javën e kaluar, duke thënë se “Në raport, thuhet se djegia e kufomave është metoda më e sigurt për të larguar trupat e viktimave të COVID-19”.

Sipas Anadolu Agency, në pyetjen e deputetit opozitar Gajendra Kumar Ponnambalam se pse nuk është marrë parasysh rekomandimi i raportit se viktimat e COVID-19 mund të varrosen, Wanniarachchi tha: “Ne nuk duhet të ndjekim rekomandimet në raport për arsye fetare ose etnike”.

Wanniarachchi sugjeroi që zbatimi i detyrueshëm i krematoriumit kryhet vetëm për arsye shëndetësore.

Deputeti Seyid Ali Zahir Mevlana, ish-ministër i Zhvillimit Social, i cili udhëhoqi protestat kundër djegies të detyruar të kufomave në Sri Lankë, reagoi ndaj qeverisë në llogarinë e tij në Twitter, duke thënë: “Është e qartë se ministrja e Shëndetësisë e ka keqinformuar parlamentin. Vendimi i marrë nga qeveria nuk bazohet në shkencë, por në arsye politike dhe raciste”.

Ish-ministri Mevlana vuri në dukje se është theksuar qartë në raportin e CCPSL-së se personat e vdekur nga COVID-19 mund të varrosen dhe i bëri thirrje ministres së Shëndetësisë Wanniarachchi të diskutojë gjithë raportin në parlament.

Komuniteti i Mjekëve: Viktimat e COVID-19 mund të varrosen

Këshilli i Komunitetit të Mjekëve, i emëruar nga Ministria e Shëndetësisë e Sri Lankës dhe i përbërë nga 3 mikrobiologë, 6 virologë, një specialist i sistemit imunitar dhe një specialist vaksinash, në raportin e botuar më 2 janar tha: “Këshilli i ekspertëve shqyrtoi rekomandimet për largimin e kufomave të personave të vdekur nga pandemia dhe ka vendosur që varrosja mund të zbatohet përveç djegies, me kusht që të respektohen masat paraprake”.

Raporti deklaroi se varrosjet e viktimave të COVID-19 duhet të kryhen brenda 24 orëve, trupi i të vdekurit të mos dorëzohet te familja ose të afërmit, në transferimin e kufomës nga morgu në varrezë të marrin pjesë vetëm 4 persona, ritualet fetare gjatë varrimit të përfundojnë brenda 10 minutash dhe trupi të varroset në një thellësi prej 1,5 metrash.

Zbatimi i detyrueshëm i krematoriumit

Ministria e Shëndetësisë e Sri Lankës, në mars të vitit 2020, kur pandemia filloi të përhapet në vend, pohoi se “varrosja e kufomave të të vdekurve nga COVID-19 mund të përhapte virusin në mjedis” dhe njoftoi se kufomat do të digjeshin në krematoriume pa diskriminim.

Organizatat joqeveritare dhe pakicat në vend paraqitën kundërshtimet e tyre në Gjykatën e Lartë për të mos djegur trupat e muslimanëve. Gjykata hodhi poshtë kundërshtimet pa ndonjë justifikim.

Hanaa Singer, koordinatore e OKB-së në Kolombo, nëpërmjet një letre, i kërkoi kryeministrit të Sri Lankës Mahinda Rajapaksa të “rishikojë vendimet të tilla në lidhje me pandeminë COVID-19”.

Në Sri Lankë, nga 208 të vdekur deri më tani nga COVID-19, një pjesë e madhe kanë qenë muslimanë.

Top Channel