Kush e drejtoi turmën? Shkatërrim e plaçkitje në Kongresin amerikan

07/01/2021 09:56

Disa prej pjesëtarëve të turmës së dhunshme pro-Trump që sulmoi Kapitolin të mërkurën, duke bllokuar selinë e qeverisë amerikane dhe duke ndalur përkohësisht certifikimin e fitores së Joe Biden, tashmë janë identifikuar.

Mbështetësi me tatuazhe në trup, i cili shihet në një sërë fotosh me një kapele me brirë e bojë në fytyrë, mësohet të jetë një ndjekës i lëvizjes Qanon nga Arizona, i cili e ka promovuar veten si këngëtar e aktor. 32 vjecari Jake Angeli, të cilin disa e përshkruajnë dhe si “Shamanin e Qanonit”, ishte fiksuar më tubimet e ekstremit të djathtë.

Ndërsa protestuesi që ngriti këmbët mbi tryezën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe bëri gjeste turpshme,  është një 60 vjeçar nga Arkansasi, Richard ‘Bigo’ Barnett, i cili pretendon se do të garojë atje në 2022-shin për guvernator. Një tjetër person, i cili është parë duke marrë me vete objekte nga salla, u mësua të jetë Adam Johnson – i diplomuar për psikologji nga Bradenton, Florida.

Dhjetëra mbështetës te tjerë të presidentit, të përfshirë në rrethimin e dhunshëm që rezultoi me vdekjen e 4 personave janë në proces identifikimi. Disa prej tyre i kanë lënë një letër kërcënuese Pelosit në tryezën e saj, duke i thënë se nuk “ do ta lenë me kaq”. 13 persona deri tani kanë përfunduar në pranga. Raportet ne mediat vendase tregojnë se protestuesit pro-Trump kanë vjedhur pajisje e objekteve te ndryshme e kanë dëmtuar pronën. Një pjesë e mirë e tyre janë fiksuar në kamera dhe për këtë, mund të ndiqen penalisht.

FOTO GALERI
2/23

Top Channel