Kim Jong-un, pohim i rrallë: Plani ynë ekonomik, dështoi!

07/01/2021 11:17

Nga kongresi i partisë në Penian, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un bëri një deklaratë të fortë.

Përpara mijëra delegatëve, Kim pranoi se ka pasur dështime ekonomike dhe se vendi nuk i ka arritur objektivat e parashtruar në planin pesëvjeçar për periudhën që sapo përfundoi.

“Synimet që parashtruam nuk u arritën në një numër fushash. Pesë vitet e fundit kanë qenë “të pashembullta” dhe “më të këqijat” për Korenë e Veriut. Megjithatë, në përgjigje të situatës vendi “do të forcojë fuqinë e tij dhe kapacitetet e mbështetjes në forcat e veta”, u shpreh Kim Jong-un.

Fotografitë e publikuara nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve tregonin mijëra pjesëmarrës të ulur pranë njeri-tjetrit në një sallë të madhe, pa respektuar distancimin fizik. Askush nuk shihej me maskë. Kjo është hera e dytë që Kim Jong-un kryeson kongresin e partisë që kur erdhi në pushtet në dhjetor të 2011-ës.

Kjo nuk është hera e parë që Kim Jong-un pranon dështimet e politikave, veçanërisht atyre ekonomike. Në gusht, Komiteti Qendror i Partisë së Punëtorëve pranoi se planet për të përmirësuar ekonominë janë “zvarritur seriozisht” nga “situata të rënda të brendshme dhe të jashtme”.

Këto vitet e fundit, Kim Jong-un është përpjekur të tregohet si një personalitet më modest sesa babai i tij, ish-udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Il.

Top Channel