Katër të vdekur pas mësymjes së Kongresit/ Capitoli i rrethuar nga policia

07/01/2021 09:52

Amerika është në gjendje shoku pas mësymjes së Kongresit një ditë më parë. Në përplasjet e 6 janarit, 4 persona kanë humbur jetën e janë plagosur 14 të tjerë.

Njëra prej viktimave u identifikua mbrëmjen e djeshme: ajo quhet Ashli Babbitt, mbështetëse e Trumpit nga San Diego i Kalifornisë. Babbit ishte veterane e forcave ajrore amerikane, me plot 14 vjet shërbim. Në Washington kishte mbërritur vetëm, pa bashkëshortin. Mediat vendase thonë se ajo u qëllua me plumb në gjoks nga një prej agjentëve të policisë së Capitol Hill në kohën kur qindra vetë sulmonin ndërtesën e Kongresit.

Turma që mësyu Dhomën e Përfaqësuesve në kohën kur ishte duke u zhvilluar seance e konfirmimit te fitores se Bidenit , u përball me oficere të veshur civile, njeri prej të cilëve nxori armen dhe shtiu mbi njerëzit. Babbbit u dërgua në spital ku ndërroi jetë më vonë. Tre persona të tjerë humbën gjithashtu jetën në ambjentet e Capitolit, një grua dhe dy burra. Që të tre sic thuhet, për arsye shëndetësore që nuk janë specifikuar ende.

Masa e demonstruesve të indinjuar pasi çau me dhunë gardhin e sigurisë sulmoi Kapitolin duke depërtuar deri në mjediset e brendshme. Imazhet filmike dhe fotografike tregojnë, se si njerëzit e revoltuar marshojnë në mjediset e brendshme në National Statuary Hall. Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati e ndërprenë seancën, gjatë së cilës do të vulosej humbja e Trump kundrejt rivalit demokrat Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Sipas NBC nënpresidenti Mike Pence u zhvendos në një vend të sigurtë. Kryebashkiaku i Uashingtonit Muriel Bowser vendosi ndalim-qarkullimin, që hyri në fuqi në orën 18:00 (06.01). Sipas të dhënave të autoriteteve ndërkohë Kapitoli është sërish i sigurtë.

Demokratët e presidentit të ardhshëm Joe Biden, sipas parashikimeve të mediave në SHBA me zgjedhjet në shtetin federal të Georgias kanë siguruar kontrollin në Senatin e SHBA-së. Mediat NBC dhe CBS si dhe agjencia AP njoftuan, se pas kandidatit Raphael Warnock edhe Jon Ossoff i fitoi votimet ne Georgia. Kjo bën që demokratët tani te kontrollojnë senatin, Dhomën e përfaqësuesve dhe Shtëpinë e Bardhe.

Top Channel