Britani, shkencëtarët pikëpyetje planit të qeverisë për shtyrjen e vaksinimit

07/01/2021 01:56

Pesë shkencëtarë britanikë e kritikuan planin e qeverisë për të vonuar deri në 12 javë dhënien e dozave të dyta të vaksinave për COVID-19, duke thënë se intervalet tashmë të provuara për dozat nuk duhet të ndryshohen “pa mbështetje ose prova të forta shkencore.” Në një shkrim opinion të botuar në internet në Revistën Britanike të Mjekësisë BMJ, shkencëtarët thanë se plani bazohet në “supozime” dhe jo në prova shkencore ose të dhëna testimesh. Ata vunë gjithashtu në dyshim arsyetimin për zgjatjen e kohës ndërmjet dozave të para dhe të dyta.

Shkencëtarët e universiteteve Nottingham, Mançester dhe De Montfort shkruajnë se deklaratat e zyrtarëve të Komitetit të Përbashkët të Qeverisë për Vaksinat dhe Imunizimin (JCVI) se strategjia e vonesës është zgjedhur për shkak të mungesës së dozave të mjaftueshme ishin “vënë në dyshim nga prodhuesit e vaksinave”.

“Këshilla e JCVI … për të vonuar dozën e dytë, duke e injektuar në një interval nga 4 në 12 javë nuk bazohet në të dhëna testimesh, por në një supozim për atë që mund të ndodhte nëse doza e dytë nuk do të jepej brenda 21 ditëve,” shkruajnë shkencëtarët. “Supozimet mund të jenë të dobishme për ngritjen e një hipoteze, por ato nuk janë arsye e mjaftueshme për të ndryshuar regjimin e njohur të dozave”, thanë ata.

Britania aktualisht po përdor dy vaksina për COVID-19 – njërën të kompanive Pfizer / BioNTech dhe një tjetër të AstraZeneca / Oxford – që të dyja të miratuara për përdorim emergjent në Mbretërinë e Bashkuar. Komiteti Qeveritar për Vaksinat javën e kaluar propozoi ndryshimin e intervaleve të miratuara të dozimit duke zgjatur kohën deri në dozën e dytë përforcuese.

Komiteti tha se “fillimisht vaksinimi i një numri më të madh njerëzisht me një dozë të vetme do të parandalojë më shumë vdekje dhe shtrime në spital sesa vaksinimi i një numri më të vogël njerëzish me dy doza”. Propozimet kanë nxitur diskutime të ngjashme nga qeveritë e tjera dhe kanë krijuar debat të ashpër midis shkencëtarëve në të gjithë botën./VOA

Top Channel