Itinerari i Ballkanit, kufiri grek/ Kthime ilegale përmes Frontex-it

06/01/2021 12:02

Gjithnjë e më shumë emigrantë përpiqen që nga Greqia përmes Shqipërisë të kalojnë në EVropën Perëndimore.

Por shumë prej tyre prej tyre raportojnë për kthime ilegale apo pushbacks, në kufirin grek, me pjesëmarrjen e Frontex-it. Dojce Vele sjell rastin e sirianit 22-vjeçar, Ali al-Ebrahim, i cili u largua në vitin 2018 për shkak të luftës në Mandbixh, një qytet në afërsi të Alepos, që atëherë kontrollohej nga kurdët, sepse donin ta detyronin të merrte pjesë në luftë.

Fillimisht u përpoq të sistemohej në Turqi. Autoritetet turke e regjistruan, por pastaj pa shpjegim e kthyen në Siri, dhe për pesë vjet tani, ai në Turqi nuk kthehet dot më. 22-vjeçari u përpoq sërish këtë herë duke synuar Greqinë. Me gomone arriti në ishullin grek, Leros dhe aplikoi për azil, por ai iu refuzua me arsyen se Turqia është një vend i tretë i sigurt. Fakti që atje nuk shkon dot, s’ka rëndësi për autoritetet greke.

“Kryeministri i ri grek, Kyriakos Mitsotakis është shumë i rreptë, kur vjen fjala te emigrantët. Prandaj vendosa të shkoj në Shqipëri”, thotë ai. Refugjati rrëfen, se bashkë me pesë vetë të tjerë në shtator 2020 udhëtoi me autobus për në Janinë. Nga atje grupi mbërriti me këmbë në kufirin shqiptar. Policinë greke nuk e pamë, thotë Aliu.

Por në Shqipëri ata u ndalën nga Frontex-i. I pyetur, se nga e kuptoi që ishin nëpunës të Frontex-it, al-Ibrahimi thotë.

“I kam dalluar në shiritin që mbanin në krahë.”

Ail al-Ibrahimi rrëfen, se ai dhe emigrantë të tjerë kishin pyetur për azil tek autoritetet shqiptare, por iu ishte thënë, se për shkak të pandemisë nuk mund të fillohej një procedurë e re azili. Pas kësaj i nisën në Greqi, pa i vënë në dijeni autoritetet greke, thonë refugjatët. Britanikja Hope Barker, koordinatore e projektit “Wave Thessaloniki” thotë se janarin e 2020 hyri në fuqi ligji që e ashpërsoi qëndrimin ndaj emigrantëve.

“Në vend që t’u jepnin dokumente azilkërkuesve, ata tani mund të qëndrojnë në gjendje arresti për 18 muaj, pa u marrë në shqyrtim rasti, dhe ky arrest mund të zgjatet edhe 18 muaj të tjerë, thotë ajo.

Top Channel