Ish-kreu i Komitetit të Kulteve kërkon Vetting fetar: Shteti të identifikojë çdo subjekt, situata jashtë kontrollit

06/01/2021 18:21

Ilir Dizdari e konsideron urgjent monitorimin e të gjitha organizatave fetare në vendin tonë.

Rreth 600 organizata, fondacione apo misione me karakter fetar janë regjistruar në Gjykatën e Tiranës. Sipas Dizdarit, këto organizata janë shtuar si kërpudha pas shiut pas viteve ’90 dhe mund t’i hapin rrugë mashtrimeve dhe radikalizmit në Shqipëri.

Unë mendoj që jemi të vonuar, sepse duhet ta kishim parë kontekstin me të cilin krijojmë marrëdhënie me bashkësinë fetare.

Flasim për Vetting në politikë, në gjyqësor, në shumë fusha të jetës. Këtu nuk është nevoja për Vetting, duhet të ndryshojë qasja për këto organizime. Duhet të veprojë institucionet e tjera të shtetit, të veprojë Prokuroria nëse kapet një shkelje, qoftë edhe një mashtrim financiar”, tha Idrizi.

Sipas Idrizit, ka ardhur momenti që shteti të jetë syhapur dhe të monitorojë veprimtarinë e këtyre organizatave, përfshirë edhe organizatat e mëdha.

Shteti shqiptar ka 5 bashkësi fetare, me të cilat ka bërë aktmarrëveshje. Në thelb edhe këto organizata fetare janë OJF, të regjistruara në gjykatë me këtë lloj statusi”.

Sipas tij, shteti shqiptar ka ndërhyrë vetëm kur rastet kanë qenë të rënda dhe kanë bërë bujë dhe më tej këto organizatat janë lënë në neglizhencë totale.

Unë mendoj se kjo është neglizhencë. Komiteti shtetëror i kulteve ka qenë në thelb i interesuar që të ketë marrëdhënie të mira me bashkësitë fetare. Ligji e përcakton qartë që duhet bashkëpunimi me bashkësitë fetare, duke ruajtur të mirën e tyre dhe të mirën e përbashkët”, tha ai.

Idrizi e sheh të vështirë monitorimin e organizatave fetare sepse asnjë komunitet fetar nuk ka anëtarësime të mirëfillta, me karta. “Nëse ne bëjmë përpjekje dhe skema për ta monitoruar do ta kemi shumë më lehtë. Kemi të bëjmë me gjëra shpirtërore, është më e vështirë të kontrollohen”.

Këto organizata apo individë me ngjyrim fetar mund të sjellin dy rreziqe për vendin sipas tij: “Së pari, është rreziku i një mashtrimi financiar që ndodh rëndomë dhe e dyta radikalizmi. Radikalizmi do të paktën 10 vjet, nëse ne nuk ndërtojmë një skemë monitorimi, të kemi filtra për të kaluar në institucionet shtetërore, mund të ndodhemi përballë një fenomeni të çuditshëm.

Kjo do sjellë radikalizëm, sektarizma, personazhe që dalin dhe e quajnë veten profet dhe krijojnë histori për veten e tyre. Këta do të jenë pjesë e radikalizmit nesër sepse do të përpiqen të mbrojnë interesat e tyre. Mund të jenë interesa financiare por edhe politike, mund të duan të përdorin një grup njerëzish.

Idrizi përmend një Vendim të Këshillit të Ministrave që po e përgatiste kur ishte në krye të Komitetit të Kulteve, që më pas u la përgjysmë.

Ideja ime ishte të regjistronim dhe monitoronim këto objekte, të dinim se ku ishin fizikisht këto objekte. Duhet që ekspertët të angazhohen dhe të gjithë personat që merren me veprimtari fetare, duhet të kalojë në filtra dhe të monitorohen nga shteti, sepse minimalisht mund të jenë duke bërë mashtrim financiar. Flasin në emër të fesë dhe e përdorin për të mbushur xhepat apo për të bërë veprimtari të tjera të jashtëligjshme”, tha ai.

Top Story përmes një investigimi, mbrëmjen e djeshme zbuloi se këto grupime apo sekte janë në shumicën e rasteve jashtë kontrollit dhe veprimtaria e tyre mund të shndërrohet lehtësisht në rrezik social për jetën e njerëzve, madje në raste specifike në rrezik edhe të sigurisë kombëtare.

Top Channel